Paratë të cilat iu gjetën tre personave si të dyshuar për grabitjen e bankës në ish – Bllok do t’u nënshtrohen disa ekspertizave.

Prokuroria e Tiranës është në pritje të informacionit nga banka, që ka të bëjë me numrat e serive të kartmonedhave të deklaruara të vjedhura nga banka.

Numrat e serisë do të krahasohen me kartmonedhat e gjetura për të siguruar një provë bindëse për organin e akuzës.

Tre të ndaluarit për këtë ngjarje, Roland Liti, Alan Babameto dhe Robert Kulla kanë mohuar përfshirjen e tyre në këtë ngjarje. Por nëse numrat e serive të kartmonedhave korespondojnë me ato të grabitura fillimin e muajit Gusht, atëherë alibitë e tyre do të rrëzohen.

Pavarësisht se hetuesit janë në pritje të këtij informacioni, sqarohet se për implikimin e tre të arrestuarve janë siguruar një sërë provash të tjera.

Më kryesorja mbetet gjetja e gjurmës së gishtave në një shishe uji të Roland Litit. Më pas, ai është vënë në përgjim dhe nga qelizat e telefonit është konfirmuar se pjesëmarrës në grabitje është edhe Alan Babameto.

Sipas Prokurorisë, njeri nga personat me maskë që ka kryer vjedhjen ka karakteristikat e tij trupore.

Më pas, largimi i tyre drejt Malit të Zi dhe futja në mënyrë të parregullt në Shqipëri është bërë për të humbur gjumrës. Policia thotë se janë edhe disa përgjime ambientale që hedhin poshtë pretendimet e dy të arrestuarve.

Ndërsa Robert Kulla ka daklaruar se paratë që i janë gjetur janë të fituara nga qeratë e disa biznesve që ai i ka lëshuar me qera.

Të shtunën, Gjykata la në burg pa fat Litin dhe Babameton. Ndërsa për Kullën u caktua masa e sigurisë burg me afat 30 ditë, deri në verifikimin e burimit të të ardhurave të tij.

Tv Klan