Një grup banditësh të armatosur me kallashnikovë kanë sulmuar selinë e një policie private në Sassari, në ishullin e Sardenjës në Itali. Banditët përdorën një fadromë me matrapik, për të kapërcyer murin rrethues të ndërtesës, e më pas për të hapur një vrimë në murin e saj.

Pasi hynë brenda, personat e armatosur morën disa thasë me para. Shuma e saktë ende nuk dihet, por dyshohet të jenë grabitur miliona Euro. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të premtes në një lagje periferike të Sassarit.

Pjesëtarët e bandës së armatosur arritën të largohen nga vendi i ngjarjes, duke qëlluar me armë ndaj policisë e duke shkaktuar kaos në qarkullimin e automjeteve. Këtë e arritën duke braktisur në rrugë disa makina të drejtuara prej tyre, e duke u vënë flakën disave, vetëm për t’i bllokuar rrugën policisë.

Policia ka ngritur postblloqe në të gjithë qytetin në kërkim të tyre. Paratë e grabitura po transportoheshin nga efektivët e policisë private dhe ishin nga fondi i pensioneve për javën e ardhshme.

Tv Klan