Prindërit e Iglit u ndanë kur ai ishte fare i vogël dhe mbeti nën kujdesin e gjyshërve. Mes emocionesh, ai rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” kujtimet e asaj kohe, gjyshen që e merrte me vete ngado dhe kishin një lidhje të fortë. Me rritjen, nisën edhe ëndrrat e para për të ardhmen.

Igli tregon për rubrikën e së “Dielës Shqiptare”  në Tv Klan se ëndrra më e madhe ishte muzika. Nisi të mësonte organo, më pas dëgjonte hip hop dhe dëshironte shumë të regjistronte një këngë. Mundësitë financiare nuk i kishte dhe teksa kërkonte një mënyrë për të siguruar paratë, bëri edhe atë që e quan “gabimin më të madh të jetës”.

Igli: Në moshën 15 vjeç, kam qenë duke ecur në rrugë dhe gjatë rrugës që po bëja kisha  ndërmend ku t’i gjej lekët? Kam parë një vajzë që po fliste në telefon, thashë do ia marr telefonin, do ia shes dhe do regjistroj këngën. Ia mora telefonin nga veshi dhe tentoj të iki me vrap. Më ka gjëmuar policia rreth dy orë derisa më kapën. Më kapën pastaj përfundova te shkolla e riedukimit në Kavajë.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe?

Igli: 15 vjeç.

Ardit Gjebrea: Ky ka qenë momenti i parë që ti i theve zemrën gjyshes tënde.

Igli: Ky ka qenë gabimi më i madh i jetës time.

Igli shton se u dënua për 6 muaj, por bëri vetëm 3. Gjatë qëndrimit në shkollën e riedukimit thotë se gjithçka rezultoi ndryshe pasi atje bënte kurs pikture, hidraulik dhe mund të mësonte diçka./tvklan.al