Nuk pritën gjatë dhe me të hyrë e diela e 24 Qershorit, gratë saudite morën rrugët me makina. Këtë herë në timon dhe jo më si pasagjere. Nga sot ka hyrë në fuqi ligji që u jep atyre lejen e drejtimit të automjeteve.

Ligji u dekretua Shtatorin e kaluar nga princi i kurorës Mohamed bin Salman, si pjesë e reformave për liberalizimin dhe modernizmin e Mbretërisë Radikale Islamike. Protestat e para për këtë të drejtë nisën në vitet ’90 por prej asaj kohe në pranga për drejtim automjetesh kanë rënë dhjetëra gra. Përveç përmirësimit të imazhit me shkeljet e theksuara të të drejtave të njeriut, vendimi synon të nxisë punësimin e grave për të cilat ofrohen kategori tepër të kufizuara vendesh pune. Ekspertët parashikojnë që me rritjen e punësimit për femrat, të vihet në lëvizje ekonomia e tkurrur saudite.

Projekti i reformave “Vizioni 2030” synon ta shkëpusë ekonominë e Arabisë Saudite prej varësisë nga çmimi tepër i lëvizshëm i naftës. Problem për gratë megjithatë mbeten të ashtuquajturit roje meshkuj që pavarësisht reformave vijojnë t’i mbikqyrin kudo që shkojnë.

Tv Klan