Kur greva e 10 deputete ka hyrë në ditën e gjashtë të saj, Lëvizja Socialiste për Integrim ofron dy opsione që kjo forcë mendon se mund zgjidhin krizën politike. Sekretari i përgjithshëm Petrit Vasili, tha se komisionet e qendrave të votimit, ato zonale, të grupeve të numërimit, si dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të ndërtohen duke marrë për bazë dy alternativa, të cilat LSI i hedh për negocim. Si mundësi e parë është që këto komisione të jenë në të gjitha nivelet me përbërje teknike dhe si mundësi të dytë atë të gjithëpërfshirës në komisione në nivel parlamentar.

Petrit Vasili: “Pretendimi për rritjen e shpenzimeve nga shtimi i numrit të komisionarëve është një pretendim absurd, por dhe ky pretendim e ka zgjidhjen e tij dhe kjo është fare e qartë dhe e thjeshtë dhe kjo mund të arrihet nëpërmjet vullnetarizmit, ku partitë parlamentare caktojnë  përfaqësuesit e tyre në këto komisione, pa pagesë dhe këta komisionarë do të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga ligji, por do të ndëshkohen nga ligji nëse ata e shkelin atë.”

Vasili e cilësoi të papërgjegjshme deklaratën e kryeministri  Berisha, se për heshtje të reformës zgjedhore negocion vetëm me Partinë Socialiste, sipas tij  ky është vetëm një pretekst për të prishur standardet e zgjedhjeve.

Sabit Brokaj: “Mjaft i kërcënuar është deputeti Frrok Gjini, i cili ka ndaluar tërësisht marrjen qoftë dhe të ujit. Në rastin konkret e akutizon, e shpejton mundësinë e një aksidenti, përveç fjala vjen Spartak Brahos që është diabetik është me koronare të ngushtuar, të paktën të provuar në skaner deri në 60%. Ata që nuk realizojnë zgjidhjen e krizës tashmë kanë përgjegjësi për jetën e njerëzve që jeta e deputetëve është mjaft e kërcënuar prej këtij momenti.”

Dritan Prifti: “Sot të gjithë deputetët në momentin që flasin kanë rënë dakord për të bërë një veprim të ri politik sot, për të komunikuar nëpërmjet një letre të firmosur nga të gjithë ata me presidentin e republikës, me kryeministrin e vendit, me propozime konkrete për të zgjidhur krizën në të cilën është futur sot Shqipëria.”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi