Hakerët koreano-veriorë kanë kryer fushatë globale të spiunazhit kibernetik, me qëllim të vjedhjes së sekreteve të klasifikuara ushtarake, për të mbështetur programin e ndaluar të armëve bërthamore të Phenianit, kanë thënë Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Koreja e Jugut, të enjten.

Hakerët të njohur si Anadriel apo APT45 nga hulumtuesit kibernetikë, kanë shënjestruar apo ndërhyrë në sisteme kompjuterike në shumë kompani inxhinierike, por edhe në ato për prodhim të tankeve, nëndetëseve, avionëve luftarakë, raketave dhe sistemeve të radarëve, është thënë në reagimin e përbashkët të atyre vendeve.

“Agjencitë e angazhuara besojnë se grupi dhe teknikat kibernetike vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për shumë sektorë në gjithë botën, e sidomos në entitetet e këtyre shteteve, por edhe në Japoni dhe Indi”.

Një raport është përgatitur në këtë drejtim prej Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Agjencisë Kombëtare për Siguri të SHBA-së (NSA), Qendrës Kombëtare për Siguri Kinbernetike të Britanisë (NCSC) dhe Shërbimit për Inteligjencë Kombëtare të Koresë së Jugut (NIS).

FBI ka lëshuar fletë-arresti për njërin prej hakerëve të dyshuar dhe ka ndarë 10 milionë dollarë si shpërblim për ata që kanë informacione që do të ndihmonin në arrestim.

Ai është akuzuar për hakim dhe pastrim parash, sipas informacioneve të publikuara nga FBI-ja.

Koreja e Veriut, e izoluar ndërkombëtarisht, ka një histori të gjatë të vjedhjes së informacionit të ndjeshëm ushtarak. /REL