Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pesë milion dollarë është vlera nga do të nisë gara për të blerë hotel Tiranën. Nesër do të zhvillohet ankandi i parë ndërkombëtar, për të shitur hotelin simbol të kryeqytetit. Pritet që tre kompani ndër të cilat një shqiptare, të vënë në garë ofertat e tyre. Dy kompanitë e tjera janë një italiane dhe një turke.

Sipas burimeve të Ministrisë së Ekonomisë, e cila është organizatorja e këtij ankandi, hotel Tirana do të shitet në 100% të aksioneve, duke përfshirë këtu edhe aksionet që shteti i shiti disa aksionerëve, si INSIG-ut dhe BERZH-it. Tre kompanitë kanë paguar një fond garancie prej 300 mijë dollarësh secila, ndërsa janë pranuar pasi janë shqyrtuar dokumentacionet nga një konsulent i huaj.

Ankandi do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, sipas të gjithë parametrave të ankandeve botërore. Qeveria ka tentuar pa sukses dy vitet e fundit të privatizojë hotel Tiranën. Procesi i privatizimit të saj ka nisur në vitin 93. Gjendja financiare e hotelit ka qenë e vështirë për shkak të keqmenaxhimit dhe bilanci financiar ka rezultuar me humbje. Kjo është arsyeja që e vetme aksionere e huaj BERZH, ka vënë në shitje aksionet e saj./tvklan.al