Dhënia me koncesion e hekurudhës shqiptare nuk duket se ka për të ndodhur shpejt. Interesi i shprehur nga disa kompani ndërkombëtare me eksperiencë, si estoneze apo çeke, për të investuar në këtë sektor ka marrë përgjigje negative nga zyrat e ministrisë së transporteve. Drejtori i politikave të transportit në ministri, Ervin Minarolli thotë se projektet e dorëzuara nuk kanë bindur specialistët se justifikojnë dhënien me koncesion.

Ervin Minarolli: “Deri tani ka patur disa shprehje interesi. Nga vlerësimi që është bërë në ministri është parë që nuk është mundur të gjenerohet një model fizibël për hekurudhën pavarësisht investimeve të mëdha që kërkohen në infrastrukturë. Grupi i identifikimit të koncesionit në përgjigje tyre koncesione të pa kërkuara ka vendosur që ta vazhdojë, studimi të thellohet më tej, studimi në këtë rast duke dalë me një koncesion më të kërkuar. Domethënë hekurudha në bashkëpunim me ministrinë vendosin termat e referencës për një koncesion të mundshëm në hekurudhë.”

Prej vitesh hekurudha shqiptare rezulton një sektor me humbje, që mbahet në këmbë nga subvencionet e buxhetit të shtetit. Sipas specialisteve rivitalizimi i këtij sektori lidhet ngushtësisht si me dhënien me koncesion ashtu edhe me bashkimin e rrjetit tonë  hekurudhor me atë rajonal, çka hap perspektiva për rritjen e cilësisë se shërbimit dhe shumëfishim të numrit të udhëtareve dhe të volumit të mallrave./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro