25% e popullsisë mbi moshën 18 vjeç është e prekur nga hipertensioni. Sipas mjekëve numri i të prekurve nga kjo sëmundje ka ardhur në rritje, ndaj ata e quajnë epidemi. 

Hipertensioni është sëmundja që zë vendin numër një përsa i përket vdekshmërisë.

Mihal Tase: “Mbi 25-30% e popullatës adulte, që ne i quajmë ata që janë mbi 18 vjeç, që vuajnë nga hipertensioni i bie që vetëm në Shqipëri të ketë rreth 700 mijë njerëz që vuajnë nga hipertensioni. Është një epidemi me thënë atë që është. Hipertensioni është një faktor shumë i rëndësishëm për sëmundjet, që shkakton sëmundje të zemrës, hemorragji cerebrale, insulte cerebrale, dëmtime të veshkave dhe pikërisht për këtë arsye për kostot e mëdha që ka shëndetësore, për vuajtjet e mëdha që i shkakton familjarëve, por dhe kostot ekonomike të mëdha që ka si sëmundje mjekët janë të detyruar që ta njohin sa më mirë për të pakësuar dhe për të frenuar këtë epidemi të këtij shekulli.”

Mjekët shqiptarë dhe të huaj janë mbledhur në një konferencë për të shkëmbyer eksperiencat që kanë me njëri-tjetrin. E pranishme në të ishte dhe Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo.

Anila Godo: “Do të krahasojmë eksperiencat, ndoshta do të diskutohet, do të konkludohet, do të miratohet një lloj udhërrëfyesi kuptohet duke pasur parasysh arritjet evropiane dhe duke u mbështetur dhe në kushtet reale të vendit. Mbi bazë të udhërrëfyesve, të cilët përcaktohen nga evente të tilla shkencore le të ndërtojmë ato protokolle diagnostike dhe terapeutike, të cilat do të çojnë që çdo shërbim të ketë anash një çmim”.

Sëmundja e hipertensionit mund të mbahet nën kontroll me anë të medikamenteve. Duke patur parasysh numrin e madh të personave të prekur, medikamentet për këta të sëmurë janë të rimbursuara nga shteti./tvklan.al