Qeveria holandeze ka deklaruar zyrtarisht votën kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, duke mos miratuar mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveriatare në muajin Dhjetor. Ndërsa drita jeshile është hapur për Shkupin. Nuk kanë mjaftuar as telefonatat e ministrit në detyrë Cakaj dhe as video-konferenca e deputetëve Taulant Balla dhe Rudina Hajdari, që Haga të japë notë kaluese për Tiranën.

Në dokumentet e nënshkruara nga ministri i Jashtëm Stef Blok dhe të përcjella tashmë në Parlamentin e këtij vendi, hidhet poshtë me argumente përfundimi i fundit i Komisionit Evropian se pothuajse të gjitha kushtet janë përmbushur, duke e konsideruar si të parakohshëm një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Në këtë mënyrë, qeveria holandeze thekson se do të japë votën e saj pro vetëm kur kushtet e përcaktuara në konkluzionet e Këshillit Evropian të 24 Marsit 2020, të jenë përmbushur bindshëm. Në materialin shoqërues, thuhet se dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, veçanërisht në fushën e reformave zgjedhore dhe zbatimin e tyre. Sipas diplomacisë holandeze, ende nuk ekziston kuorumi për vendimarrje në Gjykatën Kushtetuese.

Pavarësisht emërimit të disa jo-magjistratëve, Gjykata e Lartë gjithashtu nuk është ende në gjendje të shqyrtojë të gjitha çështjet. Shqipëria, thuhet ne argumentet e qeverisë holandeze, duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të ndërtuar një histori solide në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin përfundimtar të korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet.

Në vitin 2019, rezultojnë vetëm dy dënime përfundimtare për korrupsion pasiv nga gjyqtarët, prokurorët dhe ose zyrtarë të tjerë në institucionet gjyqësore. 262 dënime të shkallës së parë që përfshijne zyrtarë të nivelit të ulët ose të mesëm. Në 2019, ka patur 246 dënime përfundimtare në apel që përfshijnë nivelin e ulët ose të mesëm. Numri i dënimeve të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet i kufizuar.

Holanda vlerëson se janë ndërmarrë hapa në verifikimin e pasurive të  gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ashtu si Gjermania kërkohet dënimi i atyre të akuzuar dhe larguar nga detyra për korrupsion dhe të përfshirë në aktivitete kriminale. Trajtimi i fenomenit të kërkesave të pabazuara për azil dhe sigurimi i riatdhesimeve dhe ndryshimi i ligjit për media në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbeten kushte të rëndësishme të paraqitura nga qeveria holandeze. Gjithsesi në fund të vendimit negativ të Holandës shpresohet se në të ardhmen e afërt qeveria shqiptare do të bëjë përparim të mëtejshëm në plotësimin e kushteve.

Klan Plus