Lajme Arkiva – TV Klan 2003

“Nuk duam përçarjen e PS, Fatos Nano e provokon binjakëzimin e  PS me PD, duke përbuzur organet  partisë dhe duke zgjedhur gjuhën e diktatit për interesa të rrezikshme personale”.

Kështu i është përgjigjur ish-kryeministri Meta, akuzave të kreut të PS Fatos Nano, për bashkimin e votave të një grupi deputetësh socialistë me Berishën.

Ilir Meta:- “Kjo votë i dha një goditje të fortë papërgjegjshmërisë së Fatos Nanos, pazareve të ndyra dhe në prapaskenë të klaneve mafioze, si edhe te opozitës së shitur, për interesa të ndryshme, të dyshimta dhe të rrezikshme për demokracinë. Ne deputetët socialistë kërkuam nëpërmjet një dokumenti politik, drejtuar hapur dhe parimisht, institucioneve të PS dhe grupit të saj parlamentar, se situata e krijuar kërkonte një analizë të thellë dhe të përgjegjshme, një riformulim të qeverisë dhe të marrëdhënieve me aleatët dhe jo arnime të çastit dhe për interesa personale. Por Fatos Nano, i cili ka kohë që nuk vepron si kryetari i PS, por si kryetar i një klani të caktuar kundër pjesës tjetër të PS, injoroi të gjitha përpjekjet tona konstruktive dhe institucionale. Kjo është në vijimësi prej disa vitesh. Duke u sjellë në këtë mënyrë, duke fyer dhe nëpërkëmbur njerëzit e zgjedhur të PS, duke përbuzur dhe shpërdoruar forumet dhe institucionet e saj, duke treguar se ai është i vendosur, por fatkeqësisht edhe i pakorrigjueshëm në rrugën e tij. Përsa i takon akuzave të tij për bashkëpunimin tonë me Berishën, ai sa herë ndihet keq, përveç 14 Shtatorit, përmend edhe bashkëpunimin me Berishën. Me këtë rast, unë dua të theksojë se, kur ai është në dashuri me Berishën, më akuzon mua pse unë u solla sipas tij, në mënyrë të dhunshme me të, duke e çuar në stacionet e policisë, siç ka bërë vazhdimisht, kur atij nuk i intereson sigurisht që përmend gjoja bashkëpunimin me Berishën. Ne me votën e djeshme, kemi treguar vullnetin tonë, që PS, të mos shndërrohet në një binjake të PD, në një parti të stilit Berisha”.

Ish-kryeministri Meta deklaroi se PS, ka nevojë për ndryshim të kryetarit dhe rikompozim urgjent të qeverisë.

Ilir Meta:- “Partia Socialiste ka një nevojë të domosdoshme për ndryshimin e kryetarit të saj, i cili tashmë është kryetar i një klani të caktuar të PS, kështu që padyshim kodo të realizohet përmes konkurrencës”.

Në lidhje me akuzat e kryeministrit Nano, për implikim me botën e krimit, duke e quajtur dhe trafikant, Ilir Meta deklaroi:

Ilir Meta:- “Nëse ka pasur një person të inkriminuar në jetim time me të cilin unë kam qenë i detyruar të bashkëpunojë, ky është zoti Fatos Nano dhe unë jam i hapur të sqarojë në kohën e duhur si opinionin publik ashtu edhe PS, se për çfarë arsyesh dhe motivesh e kam realizuar këtë bashkëpunim. Së dyti, dua t’ju sigurojë, se kur një kryeministër është i lidhur dhe është në shërbim të krimit, ai nuk jep dorëheqje se nuk e lë krimi të japë dorëheqje. Unë kam provuar duke dhënë dorëheqje, se kam qenë dhe mbetem i lirë, nga lidhje të tilla. Ndërsa për zotin Nano do të ishte me interes që ai t’i thoshte opinionit publik, se kush e detyroi dje, të griste dorëheqjen, që kishte përgatitur për ta lexuar në mbledhjen e kryesisë dhe të qeverisë? Kush e urdhëroi që nga ky veprim të kalonte në një sulm agresiv të padëgjuar, me një fjalor kriminal ndaj deputetëve, ndaj institucioneve, duke bërë një shantazh rruge, në vend që ta lexonte atë votë, me qetësi e maturi dhe me realizëm për të kuptuar se ai nuk mund të lejohet më të sillet si kryetar i një klani, duke qenë në krye të qeverisë së një shteti demokratik. Ai duhet të braktisë menjëherë interesat e gjithë klaneve që ka rrotull tij”.

Me të njëjtat tone si kryeministri Nano, një ditë më parë, Ilir Meta i është kundërpërgjigjur Fatos Nanos, për të ashtuquajturi “puç pallati”.

Ilir Meta:- “Zoti Nano ka bërë shumë akuza dje dhe t’ju them të drejtën, për të qenë i sinqertë me ju, më është dukur si një pijanec, të cilit i është dukur sikur po i marrin faqoren e rakisë dhe që e detyron të bëhet agresiv, duke e kaluar në sulme të padëgjuara dhe të pa denja për një kryeministër …/tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj