Nevoja për ndryshim për të përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe për një luftë pa kompromis kundër varfërisë ka qenë kryefjala e takimit që lidershipi i Lëvizjes Socialiste për Integrim zhvilloi në Pallatin e Kongreseve me anëtarë të saj e qytetarë.

Kryetari Ilir Meta u shpreh se Shqipëria ndodhet tashmë përpara sfidës së madhe për të ushqyer shpresën e besimit për këtë ndryshim për të ecur përpara dhe për të garantuar një të ardhme me dinjitet për të gjithë dhe shpresa për këtë ndryshim sipas tij do të vijë përmes LSI-së, për të cilën Meta tha se do të konfirmohet si forcë fituese në zgjedhjet e 28 Qershorit.

Ilir Meta: ”Qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë janë shumë të lodhur nga monopolet qeverisëse, të cilat përjashtojnë qytetarët nga bashkëqeverisja, të cilat nëpërkëmbin taksat e tyre dhe dinjitetin e tyre dhe në themel të projektit tonë qeverisës është bashkëqeverisja me të gjithë shqiptarët në luftën kundër varfërisë. Ne do të kemi një program të veçantë, punësimin jetik, i cili do të jetë një prioritet kyç për punësim të shpejtë për të gjithë ata që luftojnë për të siguruar bukën dhe jetesën e përditshme. Lëvizja Socialiste për Integrim edhe në qarkun e Kukësit, atje ku është pragu më i lartë do të ketë deputetin e saj dhe do të ketë përfaqësimin e saj në parlamentin e ardhshëm të Shqipërisë. Të jeni të sigurt se modeli spanjoll do të jetë një problem për ata që e sajuan për të mos respektuar votën e qytetarëve shqiptarë, por kurrsesi për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe për koalicionin tonë fitues në zgjedhjet e 28 Qershorit”.

Duke bërë përgjegjës kryesocialistin Rama për ndarjen e dy partive aleate Meta dhe anëtarë të kryesisë së LSI-së akuzuan ish-aleatin e tyre kryesor edhe për mungesë transparence në lidhje me buxhetin e rrëzuar të bashkisë.

Ilir Meta: ”E ftoj kryetarin e bashkisë së Tiranës të bëjë me qetësi transparencën e taksave të qytetarëve të Tiranës dhe të heqë dorë nga modeli i bunker-bashkisë sepse Tirana është kryeqyteti i të gjithëve, jo i vetëm ne që jetojmë këtu në Tiranë, por i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.”

Monika Kryemadhi: “Pyetja jonë, të nderuar pjesëmarrës në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, por dhe në vazhdim është: 13.4 milion euro që kanë qenë në vitin 2008 ku kanë vajtur dhe ku do të shkojnë 19 milion euro për vitin 2009? Këto miliona euro shkojnë për të blerë mediat, për të mbyllur veshët tuaj dhe syrin tuaj për të mos marrë vesh se ç’bëhet me paratë e qytetarëve të Tiranës, prandaj dhe ju nuk i dini, por ne ju japim fjalën se të gjitha këto dhe shumë të tjera nuk mund t’i fshehin më, por do të jenë në shtëpinë e çdo qytetari të Tiranës. Jua premtoj këtë!”

Duke dhënë garancinë për një qeveri për qytetarët Meta ka përshëndetur dhe anëtarët më të rinj të kësaj force në mbarë vendin, të cilët kanë besuar se ndryshimi do të vijë përmes kësaj force politike./tvklan.al