Bashkia e Tiranës dhe Fondi për Zhvillim i Katarit firmosën marrëveshjen për grantin 11 milionë euro, për realizimin e sheshit fundor te Bulevardi i Ri. Marrëveshja u firmos nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe drejtori i Fondit për Zhvillim i Katarit, Sultan Ahmad Al Asseri. Veliaj tha se Bulevardi i Ri do jetë arteria e re dhe më kryesore e Tiranës, aty do ndërtohet edhe godina e re e bashkisë.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës:  Gjykata e Lartë sapo kaloi në Këshill Bashkiak si një vendodhje e dytë, kemi kaluar një hapësirë për vendndodhjen e Muzeut të Artit Modern, kemi një qendër të panaireve, bashkia e re do të jetë aty, por besoj se “qershia mbi tortë” ai “xhevahiri i kurorës” do të jetë sheshi përfundimtar, sheshi fundor i Katarit, të cilët me të donacion bujar, me këtë grant prej 11 milion eurosh ne do kemi mundësi të bëjmë një punë cilësore dhe diçka që do i ngelet Tiranës për qindra vite.

Veliaj foli edhe për situatën e krijuar në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Edhe ato skenat e Këshillit Bashkiak nuk ndihmojnë, po qëllimi im është që drejtoj qytetin. Unë nuk mund të drejtoj jetën e secilit  që ka humbur rrugën, por di të drejtoj qytetin dhe ambicia e kësaj bashkie, e kësaj organizate është që të punojë për qytetin dhe të lerë një gjurmë në qytet, kështu që ne nuk do të fokusohemi fare te zhurma ne do të shohim përpara se si ky kontribut bashkie me investimin e bashkisë, bashkia këtu do të paguajë TVSH-në dhe kostot e projektit, por granti i madh vjen nga qeveria e Katarit.

Ky është projekti i sheshit fundor në bulevardin e ri të Tiranës i cili do të mbaj emrin e Katarit si formë mirënjohje për këtë shtet. Veç hapësirave të gjelbëruara dhe çlodhëse për qytetarët do të ketë ketë edhe një parkim publik.

Klan News