Lajme Arkiva 2003

Me gjithë kritikat dhe akuzat e rënda në drejtim të  kryeministrit Fatos Nano në mbledhjen e kryesisë, Ilir Meta ka deklaruar se kryetari i partisë ka mundësi dhe kohë për të reflektuar, madje zëvendës kryeministri ka lënë të kuptohet se edhe bashkëpunimi i mëtejshëm mes të dyve është i mundshëm. Ai tha se nuk kërkon dorëheqjen e Fatos Nanos dhe njëkohësisht nuk mendon se edhe ai vetë duhet të largohet nga qeveria.

Ilir Meta: Unë nuk kam kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nano, unë kam kërkuar që ai të reflektojë, Kam kërkuar që të thellohet në analizën e problemeve që unë kam paraqitur, të cilat e thash dhe e përsëris nuk janë probleme të miat personale.

Por këtë deklaratë Meta e ka kushtëzuar me reflektimin e domosdoshëm të kryeministrit ndaj vërejtjeve që ai ka paraqitur në mbledhjen e kryesisë dhe tashmë edhe publikisht.

Ilir Meta: Në qoftë se nuk reflektojmë sot ndaj tyre me pjekuri dhe me përgjegjësi, jo vetëm që do të rriten, por do të na zënë rrugën e integrimit evropian dhe do të rrezikojnë aspiratat tona për një qeverisje të standardeve të duhura në mënyrë që qeverisja të katandiset në vendimmarrjen e një grupi njerëzish të cilët nuk janë të votuar për të marrë vendime politike që kanë të bëjnë me zbatimin e programit të qeverisë dhe në zbatimin programit të Partisë Socialiste.

Për sa kohë që kritikat e tij Meta i quan të drejta, ai nuk shikon asnjë arsye për t’u larguar vetë nga qeveria.

Ilir Meta: Në lidhje me ndonjë dorëheqjen time të mundshme mund t’ju them se ky opsion nuk ekziston për arsye se shikoj se nuk ekziston asnjë arsye për të dhënë dorëheqjen ekzistuese që më ka besuar partia socialiste, çdo dorëheqje në këto momente do ta konsideroja si një hapje të rrugës për personalizimin absolut të pushtetit nga kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste dhe për eliminimin e Këshillit të Ministrave si një organ ligjor kolegjial.

Pra zëvendës kryeministri Meta lë të kuptohet qartë se qëndrimi i tij në qeveri dhe bashkëpunimi me kryeministrin varet vetëm nga reagimi dhe pozicionimi i Nanos në raport me vërejtjet që ai i quan të drejta ./tvklan.al