Në ditën e inaugurimit të bazës taktike të NATO-s të shumtë ishin edhe ata që shërbyen për disa vite si pilotë, komandante, kolonel apo dhe funksione të ndryshme.

Ne takuam 4 prej tyre të cilët kanë qenë pilotë të avionëve dhe helikopterëve. Data 4 Mars u ka rikthyer në mendje kujtimet e bukura, por dhe vështirësitë.

Shyqyri Dashi, Ish-Pilot: Kam fluturuar për herë të parë në ’68, pastaj vazhduam jetën e bukur. Është një event i veçantë sot, por ne rikthehemi në vitet e shkuara me një nostalgji të veçantë sepse kemi fluturuar, po e heq fjalën e shërbimit… Kam fluturuar 43 vjet, deri në vitin 2010.

Sybi Koçi, Ish-Pilot: Këtu kam fluturuar tre vjet, pastaj kam vazhduar në reparte të tjera të aviacionit. Kjo datë 4 Mars 2024 është jo vetëm për ushtrinë dhe aviacionin një ditë e shënuar dhe historike, por edhe për popullin shqiptarë.

Osman Kushta, Ish-Pilot: Edhe unë kam fluturuar në këtë bazë, por kam qenë me helikopter. Kam fluturuar 41 vjet dhe ndjej nostalgji, ringjallje, zhurma nga ajo qetësi absolute, zhurma e avionëve. Njerëzit këtu na krijojnë ato vite të bukura të aviacionit tonë luftarak.

Ata shprehen se rigjallërimi i bazës së Kuçovës duke u kthyer në atë të NATO-s duhet të shtojë dhe më tej interesin e të rinjve për të pilotuar për atdheun e tyre.

Sami Guzina, Ish-Pilot: Ne ishim 18-vjeçarë atëherë dhe na dukej edhe e habitshme për të tjerët. Ne nga fshati fluturonim, por edhe sot ka ardhur dita që brezi që ne e kemi lënë detyrën ka vite detyrimisht do të ketë aviacion shqiptarë, do të popullohen aerodromet me djem të rinj shqiptarë edhe vajza.

Sybi Koçi, Ish-Pilot: Nuk është privilegj. Është një detyrë edhe për popullin edhe për të rinjtë të arsimohen profesionalisht edhe si pilotë.

Osman Kushta, Ish-Pilot: Atë vullnet dhe atë prirje të popullit dhe të djemve dhe vajzave shqiptare për të fluturuar në hartën më të bukur.”

Para nisjes së punimeve për rikonceptimin e saj, baza e Kuçovës ishte shndërruar në një varrezë avionësh të tipit MiG, Antonov dhe Yak-18 sovjetikë e kinezë që ishin amortizuar.

Ajo u ndërtua në vitet 1950, asokohe kur Kuçova kishte emrin Stalin duke përdorur punën e të burgosurve nën diktatin e Enver Hoxhës, në një kohë kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ishin tepër të forta. Më pas ato u zhbënë, sikurse u prishën marrëdhëniet edhe me Kinën dhe Jugosllavinë dhe e ktheu Shqipërinë në një shtet të izoluar.

Pas rënies së komunizmit në vitin 1990, Shqipëria i ktheu sytë nga Perëndimi dhe u bashkua me NATO-n në vitin 2009.

Klan News