Ndalesa e kryetares së kuvendit, Jozefina Topalli, në komunat Postribë, Rrethinë dhe Guri i Zi në Shkodër është shoqëruar me takime dhe biseda me banorë të zonës. 

Në fjalën e saj kryeparlamentarja ka kërkuar besimin për një mandat të dytë qeverisës, që sipas saj do të garantojë vazhdimësinë e reformave dhe integrimin e vendit në familjen evropiane.

Duke u ndalur në alternativën që ofron opozita e majtë, Topalli kritikoi qëndrimet shfaqura së fundmi nga kryesocialisti Edi Rama për heqjen e asistencës sociale familjeve në nevojë.

Jozefina Topalli: “Partia Demokratike nuk do lejojë kurrë që t’i heqësh asistencën, që t’i heqësh ndihmën atyre njerëzve që kanë nevojë, sepse ai e gjykon me të drejtën e vet, në rrugën e vet të kryetarit të bashkisë që është 1 milion, 1 milion e 500 mijë lekë. Kështu 15%-shat e lejeve të ndërtimit. A mbani mend ju gjatë gjithë dialogut të Edi Ramës në Shqipëri apo nga enciklikat e Edi Ramës? Mbani mend ju se të ketë thënë një koncept? Mbani mend ju që të ketë thënë një frazë? Mbani mend ju që të ketë dhënë një ide? Mbani mend ju që të ketë thënë një fjalë që ju ka mbetur në mendjen tuaj? Asnjë frazë, sepse ai nuk ka asnjë koncept dhe asnjë ide, me përjashtim të një koncepti, të koncepti i lejeve të ndërtimit”.

Kryetarja e kuvendit u shpreh se investimet  e qeverisë së djathtë në qarkun e Shkodrës janë disa herë më të larta se ato të qeverisjes socialiste.

Ajo u premtoi banorëve të zonës se viti i parë i mandatit të dytë të demokratëve do të shënojë edhe liberalizimin e plotë të vizave në Bashkimin Evropian.

Jozefina Topalli: “Ju premtojmë se në fund të vitit të parë të mandatit të dytë ju do lëvizni pa viza. Pa viza. Pa viza.”

Kryeparlamentarja u bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë për marrjen e letërnjoftimeve elektronike, për të qenë në këtë mënyrë pjesë, tha ajo, e fitores së madhe të 28 Qershorit./tvklan.al