Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Qytetarët e Shkodrës dhe Gjirokastrës do të jenë të parët që do të duhet ta parablejnë energjinë me anë të kartave. Drejtori i KESH-it Andis Harasani deklaron, se procesi do të nis në Dhjetor të këtij viti, në mënyrë eksperimentale në këto qytete, për t’u shtrirë në të gjithë vendin.

Aplikimi i kësaj teknologjie të re, siguron arkëtime të sigurta të faturave të energjisë elektrike për KESH-in.

Andis Harasani: “Pse është zgjedhur Shkodra dhe Gjirokastra, arsyet janë besoj evidente, Shkodra është rrethi më problematik në pagesa, Gjirokastra është rrethi më i mirë, duke bërë një periudhë prove prej tre muajsh në këto dy zona, do na japi një ide më të mirë se si do eci projekti në zonat e tjera.

Drejtori i KESH-it deklaron se ka firmosur për kredinë e fundit për termocentralin e ri të Vlorës prej 40 milion eurosh, me bankën europiane të investimeve. Harasani deklaron, se me një fond prej 16 milion eurosh kredi po nga kjo bankë do të kryejnë investime në energjetikë për zonat e veriut.

Drejtori Harasani, i pyetur në lidhje me kandidimin nga ana e PS për anëtarë të këshillit mbikëqyrës të Bankës Qendrore, deklaroi se ky pozicion i ri, nuk do ta pengojë në drejtimin e KESH-it./tvklan.al