Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë ishte një nga temat që u diskutuan gjatë takimit mes kryeministrit Keir Starmer dhe Giorgia Meloni në Romë. Kjo e fundit ia ofroi si model edhe kreut të qeverisë britanike i cili mund ta shohë si një zgjidhje të mirë për të trajtuar problemin e emigracionit.

“Folëm për protokollin Itali-Shqipëri të cilin qeveria britanike po i kushton një vëmendje të madhe, ne kemi ofruar të gjithë elementët për të kuptuar më mirë këtë mekanizëm.”

Meloni shprehu besimin e plotë se marrëveshja me Shqipërinë do të funksionojë plotësisht dhe se sipas saj, hapja e qendrave po shtyhet në mënyrë që projekti të përmbushet me sa më shumë sukses.

“Ne jemi duke punuar për këtë projekt me seriozitet të jashtëzakonshëm. Do të duhen edhe disa javë që të jetë perfekt. Do të kisha preferuar që të fillonte më herët por ne i kemi sytë e botës të fokusuar tek kjo nismë. Nëse duhen pak më shumë ditë nuk më intereson”.

Kjo nismë, sipas Melonit nuk ishte testuar më parë dhe nëse funksionon do të jetë një gur themeli për trajtimin e këtij problemi.

“Modeli që qeveria italiane ka imagjinuar të qendrave për të përpunuar kërkesat për azil nën juridiksionin italian dhe europian në një vend të huaj nuk ishte testuar, nëse funksionon dhe besoj se do të funksionojë të gjithë e kuptojnë se ka një çelës edhe për trajtimin e flukseve migratore”.

Kryeministrja u përgjigj edhe një herë tjetër kritikave për këtë marrëveshje.

“Më duket se e kam shpjeguar plotësisht se juridiksioni është italian dhe evropian. Ajo që kemi bërë me Shqipërinë është se emigrantët do të kenë të njëjtin trajtim si në Lampeduza apo në të gjitha pikat e tjera italiane me ndryshimin e vetëm se ky tërritor nuk do të jetë në Itali.”

Me ardhjen në detyrë kryeministri britanik hoqi dorë nga skema e Ruandës. I zgjedhur me shumicë dërrmuese gjatë zgjedhjeve parlamentare të korrikut, Starmer premtoi ta bënte luftën kundër emigracionit të parregullt një nga prioritetet e qeverisë së tij.

Klan News