Kievi dhe Moska japin për të parën herë në më shumë se dy vite luftë, shenja të uljes së tensioneve. Pas një takimi me dyer të mbyllura që zgjati tre orë me ministrin e Jashtëm të Kinës, Uan Ji në Pekin, kryediplomati ukrainas Dimitro Kuleba ka shprehur gatishmërinë për t’u ulur në bisedime paqeje me rusët, që sipas tij duhet të shfaqin vullnet të mirë.

“Ne do të flasim, do të shohim për pika kontakti të përbashkëta. Duhet të shmangim konkurrimin me plane paqeje. Duhet të shohim për një paqe të qëndrueshme”, tha Kuleba.

Nuk vonoi reagimi i Kremlinit, përmes zëdhënësit Dimitri Peskov për të cilin, kjo deklaratë e Kulebës është në përputhje me qëndrimin rus për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës. Megjithatë, Peskov thotë se pret që çështja të qartësohet më tej. Pekini ka marrë një rol ndërmjetësues për paqen në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka patur si kusht të panegociueshëm për bisedime paqeje, tërheqjen e ushtrisë ruse nga ky vend. Por teksa në Shtëpinë e Bardhë pritet rikthimi i Donald Trump-it, i cili ka deklaruar se do t’i japë fund me çdo kusht kësaj lufte, gjërat mesa duket kanë nisur të ndryshojnë.

Tv Klan