Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nënshkruan një marrëveshje sigurie me Ukrainën, që përforcon mbështetjen e bllokut për Kievin në fusha të politikës së sigurisë dhe mbrojtjes.

Në draftin e marrëveshjes thuhet se BE-ja dënon luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe shprehet mbështetja për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës si dhe e drejta e Kievit për t’u mbrojtur nga agresioni rus.

“Në maj, Presidenti rus Vladimir Putin u përpoq të zgjeronte luftën duke nisur një ofensivë të re në lindje të vendit tonë. Falë trimërisë së popullit tonë dhe vendimeve tuaja, të partnerëve tanë, ne e ndalëm këtë ofensivë ruse. Por kjo ofensivë e re ruse dëshmoi se presioni ndaj Rusisë për luftë nuk është i mjaftueshëm.”

Në draft thuhet po ashtu se BE-ja mbështet reformat e Ukrainës dhe rrugën drejt pranimit në bllok, duke shtuar se ndihma e BE-së për Ukrainën është pothuajse 100 miliardë Euro, përfshirë 35 miliardë Euro në mbështetje ushtarake.

“Këto angazhime do të ndihmojnë Ukrainën të mbrojë veten, t’i rezistojë destabilizimit dhe të pengojë aktet e ardhshme të agresionit një provë më konkrete e vendosmërisë së palëkundur të BE-së për të mbështetur Ukrainën për një kohë të gjatë,” tha Michel.

Udhëheqësit përsëritën zotimin e tyre për të mbështetur Ukrainën për aq kohë sa duhet, duke theksuar se Rusia nuk duhet të mbizotërojë” dhe se Ukraina duhet të marrë përsëri tokën e aneksuar nga Moska.

Marrëveshjet që Zelensky nënshkroi me Lituaninë dhe Estoninë gjatë samitit të BE-së, synojnë të plotësojnë marrëveshje të tjera të ngjashme që Ukraina ka arritur me aleatët.

Ato nuk janë pakte të ndërsjella të mbrojtjes, por në to përfshihen zotime për t’i ofruar Ukrainës armë dhe ndihmë tjetër dhe për të parandaluar ndonjë pushtim tjetër në të ardhmen.

Klan News