Nismëtarët e mbajtjes së referendumit popullor që kundërshtuan ndryshimet kushtetuese, kanë ndarë me studentët e Universitetit Europian të Tiranës, shqetësimet për atë që e cilësojnë rrezik për demokracinë në vend.

Ish-presidenti Alfred Moisiu firmëtari i kërkesës për referendum tha se vendi rrezikon të shndërrohet në një shtet tribal që pas 21 prillit, dite që shënoi miratimin e këtyre ndryshimeve. Moisiu adresoi kritikat ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Alfred Moisiu: “Gama e gjerë mbi të cilën u ndryshua Kushtetuta nuk ishte më amendim. Unë nuk do t’i konsideroj këtë amendime, kjo është një plugim i thellë i kushtetutës, i cili nuk mund të bëhet kështu, pa marrë mendimin e sovranit. Fjalë të cilën abuzojnë politikanët tanë.

Artur Zheji: “Skandali dhe paradhomat fashizmi që i kam cilësuar unë është sidomos kur dhuna që bërë KQZ për të mos lënë të drejtën që të shprehesh.“

Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës pak ditë më parë dorëzoi në Gjykatë Kushtetuese ankimimin ndaj KQZ, që refuzoi marrjen në shqyrtim të kërkesës për referendum. Duke mos paragjykuar vendimin e kushtetueses përfaqësuesit e komitetit për një gjë shprehen të sigurt, se kanë argumente të fortë që mbështesin ligjshmërinë e kësaj iniciative./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi