Më shumë se 1 kilogramë kokainë u sekuestruan nga policia në Tiranë. Ishte sektori i antidrogës që finalizoi operacionin “Bashkëpunimi 3”, duke vënë në pranga 3 persona. Ata janë Xhelo Ajasllari, Paolo Shyti dhe Ervin Rakipi.

Të moshës nga 23 deri në 43 vjeç, u pikasën në zonën e “Myslym Shyrit” teksa udhëtonin me një automjet tip fuoristradë. Tre të arrestuarit kishin ardhur nga Fieri për të shitur lëndën narkotike në kryeqytet.

Sasia e kokainës e mbështjellë me qese ishte marrë nga persona të tjerë për ta shitur në Tiranë, por u zbuluan nga agjentët e antidrogës.

Këta të fundit kishin informacion për këtë aktivitet kriminal dhe prej muajsh kishin nisur përgjimet dhe ndjekjen e tyre. Gjatë kësaj kohë, nga agjentë të infiltruar janë kryer blerje të stimuluar.

Gjatë kryerjes së operacionit pranë një karburanti në zonën e “Myslym Shyrit”, 43-vjeçari Ervin Rakipi nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë.     

Tre të ndaluarit rezultojnë me precedent penal. Njëri prej tyre i skeduar për shpërndarje të lëndëve narkotike, ndërsa dy të tjerët për vepra të tjera penale.

 Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Tashmë policia bën të ditur se po vijojnë hetimet për zbulimin edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Klan News