Gazetari Artan Hoxha ka rrëfyer sonte në “Opinion” se si e nisi karrierën e tij si gazetar i kronikës së zezë. E habitshme, por ai në vitin 1995 shkruante për sportin, të cilin e ka dhe pasion. Vigjilenca dhe kureshtja e tij, bënë që të investigonte lëvizjet e para të eksponentëve të krimit në Shqipëri.


-Ju kur e keni nisur gazetarinë?

Artan Hoxha: Dashur pa dashur, unë e përdor si shprehje që jam rritur bashkë me atë që sot në Shqipëri quhet ‘krimi i organizuar’. E kam parë që në fillesë, embrion…

-Në cilin vit ke filluar të shkruash?

Artan Hoxha: Që nga viti 1995. E kam nisur fillimisht si gazetar sporti dhe është një pasion.

-Prandaj shkon në stadium ti.

Artan Hoxha: Unë ndjek ndeshje, qoftë dhe të kategorive të ulëta. E bëj me shumë qejf.

-Si kalove nga sporti te kronika?

Artan Hoxha: Në atë kohë, gazeta më e madhe sportive në vend ishte “Sport express”. Unë kam filluar aty dhe mbuloja Dinamon. Por, ishte në kat të parë te godina që u dogj. Aty shpesh herë rrinim me gazetarët e kronikës. Për shkak se isha kurioz dhe ndiqja ndeshjet e futbollit, më tërhiqte shumë tribuna VIP. Ishte koha kur vinin politikanë, deputetë… Kur klubet po lëviznin, kishte nevojë për para. U futën personazhe që po krijonin botën e krimit. Dolën në tribunën VIP. Mua filloi të më binte në sy kjo gjë. E bisedoja me kolegët dhe ata u bënë pretekst duke më thënë “ore ti që i njeh kaq mirë, pse s’bën një shkrim?” Aty fillova historitë e para./tvklan.al