Kombëtarja është në regjim “full option”. Më në fund të gjithë lojtarët janë stërvitur në seanca me ngarkesë të plotë. Pjesë e saj janë bërë edhe Abrashi, Gjimshiti dhe Ramadani që më parë ishin disi të veçuar për shkak të ngarkesës që kanë patur me klubet e tyre.

Tashmë trajneri Sylvinho do të shohë realisht potencialin e skuadrës. Ekipi përgatitet për ndeshjen me Azerbajxhanin që vetëm miqësore nuk do të jetë pasi kjo sfidë do të jetë testi i fundit para finaleve të Europianit.

Lojtarët thonë se do të japin më të mirën e tyre për të bindur trajnerin dhe për të siguruar një vend titullari që në ndeshjen e parë me Italinë e cila do të jetë një vitrinë e jashtëzakonshme në aspektin personal për secilin futbollist.

Informacionet nga Austria sugjerojnë se ndaj Azerbajxhanit me shumë mundësi trajneri do të përdorë lojtarët që ai mendon se kanë aftësinë për t’u përballur me kombëtaren e Spalletti-t.

Tashmë regjimi i stërvitjes është rritur dhe skuadra do të duhet të japë shenjat e vërteta se cfarë është në gjendje të bëjë në finalet e Europianit.

Ndeshja me Azerbajxhanin do të luhet sërish në stadiumin Haladas të premten më 7 qershor në orën 19.00 dhe do të transmetohet në Tv Klan.

Tv Klan