Java e tretë e Kategorisë Superiore dhuroi rezultate tepër interesante. Tetë gola në 5 takime ishte bilanci, me një mesatare prej më pak se dy realizimesh për sfidë. Kreu mbahet sërish nga Egnatia, me kampionët në fuqi të vendit që kanë grumbulluar 7 pikë nga 9 të mundshme.

Rrogozhinasit u ndalën 1-1 nga Tirana në takimin e luajtur në “Niko Dovana” për të provuar shijen e barazimit të parë në këtë sezon. Në krahun tjetër, bardheblutë nuk njohin rezultat tjetër për të koleksionuar në tre takime e deritanishme vetëm barazime.

Dinamo City provoi fitoren pas 270 minutave. Kryeqytetasit morën maksimumin ndaj Akademisë së Futbollit Elbasani me shifrat 2-1. Një takim që për 17 minuta, “nëndetësja blu” e luajti me një futbollist më pak, por që gjithsesi nuk ndikoi në marrjen e pikëve të plota. Fitore që për momentin e ngjit skuadrën në zonën play-aut, për të lënë pas Teutën e Laçin. Pikërisht sfida e zhvilluar në Kurbin mes bardhezinjve dhe Bylis nuk prodhoi asnjë gol për të qenë edhe sfida e vetme shterpë e kësaj jave.

Ndërkaq, Partizani shënoi fitoren e dytë në tre javë, pasi mposhti 2-0 Teutën. Llogari të vulosura në fraksionin e dytë të lojës, me “demat e kuq” që gjetën fundin e rrjetës me protagonist Rrapaj e Mba.

Pikët e para të plota i mori edhe Skënderbeu kundër Vllaznisë. Korçarët ishin cinik në fushën e lojës, për të goditur rivalët në të 86-ën minutë dhe marrë fitoren që vlen për momentin vendin e tretë në renditjen e përgjithshme.

Klan News