Të ardhurat nga privatizimi i ARMO-s dhe operatorit të sistemit të shpërndarjes do të shkojnë për financimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Kreu i ministrisë së Financave ka deklaruar se paratë e marra nga të gjitha privatizimet gjatë 2008, do të investohen pikërisht në këtë pjesë të rëndësishme të infrastrukturës.

Ridvan Bode: “Kemi kërkuar autorizimin e Kuvendit në marrëveshje me fondin monetar dhe me partnerë ndërkombëtar. Që të gjitha të ardhurat nga privatizimet e mëdha që do të realizohen gjatë 6 mujorit të dytë të këtij viti do të përdoren për të shtuar vëllimin e investimeve publike dhe progresin e punimeve në segmentin e rrugës Rrëshen-Kalimash.”

Por të ardhurat nga privatizimet nuk janë të përfshira në buxhetin shtesë që ka nisur të shqyrtohet në komisionin parlamentar të ekonomisë dhe financave.

Arben Malaj: “Ju keni një problem në këtë buxhet dhe besoj se nuk do të biem dakord që shifrat e privatizimit nuk do të dalin jashtë buxhetit. Deri tani ju nuk jeni të qartë ose diçka nuk shkon për të sjellë në buxhetin suplementar shifrat reale të privatizimit.”

Debat ka sjellë mbledhja e të ardhurave për 6-mujorin. Për deputetin e majtë Malaj, rritja me 17% e të ardhurave krahasuar me një vit më parë është rrjedhore e rritjes së çmimeve dhe jo e performancës së tatimeve dhe doganave.

Arben Malaj: “Ajo që ka ndryshuar dhe nuk mund të fshihet është trefishimi i çmimeve të cilat zhdoganohen dhe për të cilat merret TVSH. Pra konkluzioni jonë është që kjo e ardhur është e ardhur që paguhet, është e ardhur nga konsumi, është TVSH dhe mbërrin deri  te konsumatori më i varfër shqiptar. Nuk është ndonjë gjë që vjen nga performanca juaj në rritje.”

Ridvan Bode: “2 mbi GDP kemi rritur në jakun e tre viteve dhe kjo është sa është luftuar informaliteti. Është vetmja taksë që nuk ka pësuar ulje dhe këtu kur flasim mbi GDP e dini shume mirë që këtu përmblidhet edhe rrija e çmimeve është brenda sepse GDP llogaritet me terma realë jo me terma nominalë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro