Komisioni i ligjeve ka miratuar me votat e shumicës draftin që i jep të drejtë ALUIZNI-t, për të legalizuar ndërtimet pa leje në rastet kur zyrat e urbanistikës pranë pushtetit lokal tejkalohen afatet për ta bërë një gjë të tillë.

Opozita në qëndrimin e saj i kujtoi maxhorancës se propozimi i bërë nga një grup deputetësh të djathtë jo vetëm që i heq kompetencat pushtetit lokal, por sipas saj është në kundërshti dhe me vetë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhënë pak kohë më parë.

Pandeli Majko: “Është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është shumë i qartë dhe pozicioni jonë është shumë i qartë. Të vazhdojnë të mbesin kopetentat siç janë të pushtetit lokal duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, procesi i legalizimit do vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të 29 qershorit, kaq. ALUIZNI nuk ka pse përdoret si forcë e ndërhyrjes së shpejt”.

Spiro Peçi: “Po sikur vetë ALUIZNI të mos i zbatoj këto afate. Ja japim me ligj nuk i zbaton. Do gjejmë një organ tjetër pastaj, t’i themi që do t’i heqim ty e do t’i marri dikush tjetër këto përgjegjësitë”.

Pal Dajçi: “Nuk i hiqet kompetenca, plotëson e bën ligjin e legalizimeve funksional, plotëson një kopetencë dhe unë po ju jap shembujt tashi. Sa herë nuk vepron pushteti lokal ka dhe ndërhyrje të tjera”.

Ndërkaq sipas ALUIZNI-t, vendimi i kësaj gjykate nuk cënon aspak thelbin e ndryshimeve të bëra në ligjin bazë, duke shfuqizuar vetëm disa dispozita, të cilat në fazën aktuale ku gjendet procesi i legalizimeve, ka rendësi për vijueshmërinë e zbatimit të tij. /tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro