Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Anëtarët e komisionit elektoral shpenzuan dy orë e gjysmë kohë, vetëm për të vendosur, se çështja e KQZ të diskutohet nga nënshkruesit e protokollit për reformën zgjedhore, nuk kanë diskutuar asnjë minutë për ndërtimin e KQZ. Vetë komisionerët nuk ishin në gjendje të jepnin një zgjidhje për rindërtimin e KQZ, kështu që vendosën t’ua lënë në dorë përfaqësuesve që nënshkruan protokollin, Ruçi, Topi, me ndërmjetësinë e ambasadorit të OSBE-së Lipponen.

Jemin Gjana: “Do t’i kërkojë kryetarit të grupit tim parlamentar, që bashkë me kryetarin e grupit parlamentar të shumicës dhe prezencës së OSBE-së, të ulen për të gjetur zgjidhjen politike me të cilën duhet të vazhdojë punë në këtë komision.”

Bashkëkryetari socialist Elmaz Sherifi, që në fillim të mbledhjes kërkoi, lehtësisht që të kalojë në pikën tjetër të agjendës së komisionit në atë të listave, meqë nuk u arrit konsensusi për rikompozim të KQZ.

Elmaz Sherifi: “Edhe në Kuvend kam deklaruar, se ne parlamenti nuk na ka dhënë mandat të ndryshojmë KQZ, por na ka dhënë mandat, që në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR të ndryshojmë kodin zgjedhor dhe legjislacionin që ndryshon një proces demokratik të zgjedhjeve.”

Njëanshmëria e drejtimit të komisionit nga Sherifi, ka sjellë për një moment deklaratë të detyruar nga ana e anëtarëve të opozitës.

Jemin Gjana: “Problemi i qëndrimit tuaj të pandryshueshëm, lidhur me KQZ na detyron të mos ecim me asnjë prej çështjeve të tjera.”

Edhe mbyllja e mbledhjes nuk arriti konsensus pasi Sherifi nuk mori mendimin e bashkëkrytarit demokrat Gjana.

Elmaz Sherifi: “Në datën 20 të fillojmë me listat e zgjedhësve në orën 12. Ju faleminderit!”

Komisioni do të mblidhet më datë 20 shtator, ku do të nisë diskutimi për listat e zgjedhësve./tvklan.al