100 të rinj nga 10 vende të europës juglindore morën pjesë në konferencën rajonale studentore të organizuar nga rrjeti i studentëve shqiptarë në botë ASAN. Krijimi i urave të bashkëpunimit mes të rinjve në vendet e rajonit dhe shkëmbimi i eksperiencave mes tyre ishte tema kryesore e konferencës. Të ftuar në këtë konference ishin dhe Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, Deputeti Aldo Bumçi dhe Kryetari i Forumit Rinor të PD-së Gerti Bogdani të cilët theksuan domosdoshmërinë e të rinjve në politikë.

Lulzim Basha: “Asgjë nuk është më e rëndësishme se urat lidhëse të perspektivës, së të ardhmes. Sot ne kemi një rajon të ri, një rajon që kërkon të bashkëpunojë, pavarësisht problemeve të mëdha me të cilat është përballur vite më parë. Kemi një gjeneratë të re, me ide të reja në të gjithë Ballkanin. Një rini që synon integrimin në BE. Ne duhet të bashkohemi dhe të ndërtojmë marrëdhënie të reja në rajon. Askush nuk mund ti thotë rinisë së Ballkanit se ata nuk do të jenë qytetarë të BE”.

Aldo Bumçi: “Fjala kyçe në çdo shoqëri është ndryshimi dhe ky ndryshim në një shoqëri demokratike vjen nga shoqëria, nga çdo faktorë social. Në rast se ju doni të jeni pjesë e ndryshmit, politika është aspekti i duhur ku mund ta bëni këtë. Një shoqëri nuk mund të drejtojë pa politike, ndaj pjesëmarrja është e rëndësishme”.

Gerti Bogdani: “Politikanët e rinj janë shumë të rëndësishëm. Politika, PD është e interesuar të ketë njerëz të rinj në politikë, ide të reja, një fushatë kjo, që nisi që në vitin 2005. Në politikën tonë një përparësi të madhe ka hyrja e njerëzve të rinj, rinisë, në politikë. Ka gjithmonë nevojë për ide të reja. Përfshirja e rinisë në politikë duhet të ndodhë në të gjithë rajonin”.

Drejtoresha ekzekutive e rrejti të studentëve ASAN, u shpreh se ky është brezi që ka potencialin dhe vullnetin e nevojshëm në realizimin e ndryshimeve të mëdha, për të diskutuar mbi perspektivën e një të ardhmeje të përbashkët europiane./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami