Në përputhje me rregulloren e Kuvendit Konferenca e kryetarëve e mbledhur paraditen e të premtes ka vendosur ti rimandatoj komisionin e reformës zgjedhore për të marr në shqyrtim dekretin e presidentit për kodin zgjedhor.

Astrit Patozi: “Ne e morëm këtë vendim në respekt të rregullores. E cila kërkon që ligjet që kthen nga presidenti duhet të shqyrtohen nga i njëjti komision që i ka trajtuar ato paraprakisht. Pra kemi qenë detyruar që të ringrejmë komisionin e reformës zgjedhor.”

Kryetarja e grupit parlamentar Socialist Valentina Leskaj e ka bërë të qartë se komisioni do të diskutoj vetëm dekretin e presidentit siç e parashikon rregullorja. Duke hedhur poshtë çdo mundësi për tu arritur një marrëveshje mes PS dhe LSI për të ndërhyrë në kodin zgjedhor dhe për të përmbushur kërkesën e LSI për tu përfaqësuar me anëtarët e saj në komisionet e administrimit të zgjedhjeve.

Valentina Leskaj: “Nuk ka negociata përsa kohë që dekreti i presidentit bën fjale vetëm për një çështje dhe komisioni do të shqyrtojë dekretin e presidentit.”

Ndërkohë që për demokratët duket se nuk ka asnjë problem nëse ka një ndërhyrje të tillë në kod.

Rregullorja e parlamentit parashikon që dekretet e presidentit duhet të shqyrtohen brenda një afati kohor 8 javor nga komisioni përkatës. Por ndërkohë konferenca e kryetarëve ia ka lënë seancës plenare kohëzgjatjen e mandatit të ri të komisionit të reformës zgjedhore.

Valentina Leskaj: “Është vetë një çështje që do shqyrtohet dhe nuk  e besoj që ka nevojë për 8 javë.”

Në mbledhjen e saj konferenca e kryetarëve ka vendosur gjithashtu që në seancën e ditës së hënë të kalojë për miratim  dhe ligji i dosjeve, i cili në komisionin parlamentar të ligjeve kaloi vetëm me votat e mazhorancës.

Ky vendim edhe në konferencën e kryetarëve ka kaluar sërish vetëm me aprovimin e mazhorancës, pasi opozita vazhdon ta cilësoj të nxituar vendimin për miratimin e ligjit për pastërtinë e figurave ./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka