Socialdemokratët kanë nisur të zgjedhin kandidatët e tyre për deputet në çdo zonë elektorale, pavarësisht nga diskutimet në koalicionin qeveritar për aleancat parazgjedhore. Pas zgjedhjes së Arjan Muços dhe Anesti Deçkës në Gjirokastër, socialdemokratët votojnë sonte për 11 kandidaturat për deputet në Tiranë. Në konferencën e socialdemokratëve të kryeqytetit ishte i pranishëm dhe kryebashkiaku Edi Rama. Në këtë konferencë kryetari Gjinushi u shpreh se partia e tij shkon në votimet e ardhshme me synimin për të fituar të paktën 10% të vendeve në Parlament.

“Në rastin e parë keqtrajtoheshin protestuesit nga policia, tani ka raste që keqtrajtohen policët nga protestuesi. Në rast se atëherë gazetarët ishin nën trysninë e pushtetit, tani është shesh pushteti nën trysninë e gazetarëve. Për ne është e qartë, por më qartë u evidentua dallimi kryesor si politika destruktive e së djaththës nga politika konstruktive e së majtës. PD-ja në 6 vjet tregoi se është e aftë të shkatërrojë gjithçka dhe t’a kthejë vendin në hiç. Ne treguam se dimë të rindërtojmë edhe kur ja fillojmë nga hiçi. Nëse atëherë pyetej nëse do të ribëhej Shqipëria, sot pas 4 vitesh pyetet me shqetësim a do të bëhet ajo e madhe.”/tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame