Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në doganën greke në Kapshticë ende nuk ka mbërritur vendimi i Ministrisë së Rendit të Greqisë, që të lejojë lëvizjen e emigrantëve shqiptarë që u kanë mbaruar lejet e qarkullimit jashtë shtetit helen dhe që për procedura të zvarritura, nuk janë pajisur me leje të reja. Këtë fakt e kanë konfirmuar edhe drejtues të policisë greke në një takim të zhvilluar dje me homologët shqiptarë.

Polici i doganës:- “Për këta emigrantë që kanë hyrë me karta 6 mujore që u ka mbaruar afati, nuk dihet nëse do të kalojnë për në territorin grek apo jo në ditët e ardhshme. Nga takimi që kemi bërë sot në mëngjes, atyre aktualisht nuk i ka ardhur urdhri për në territorin grek, këta refugjatë që u kanë mbaruar kartat 6 mujore”.

Për rrjedhojë, ndonëse lëvizjet e emigrantëve drejt Shqipërisë për të kaluar pushimet verore kanë filluar, ato janë shumë të pakta. Përgjithësisht e kalojnë trarin doganor ata shqiptarë që kanë dokumente të policisë me afate të gjata 1-3 vjeçare dhe viza të rregullta.

E njëjta situatë paraqitet edhe në pikën kufitare të Kakavijës, ku në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë mbërritur emigrantët e parë që kërkojnë të kalojnë pushimet në vendin e tyre. 3400 persona ka qenë fluksi i emigrantëve që kanë mbërritur në këtë pikë kufitare, si dhe 600 automjete. Një pjesë e mirë e tyre janë të pajisur me kartat e Vorio Epirit 3 vjeçare, por nuk janë të pakët edhe ata emigrantë të pajisur me kartat jeshile, që afati u ka përfunduar në fund të Qershorit 2003.

Këta emigrantë në doganën greke kanë marrë përgjigje, se nëse duan të kthehen sërish në tokën helene, duhet të pajisën me viza, pasi në këtë pikë kalimi, nuk ka mbërritur asnjë urdhër se këta emigrantë, të cilëve u ka përfunduar afati i qëndrimit të lejohen të kalojnë sërish. Madje autoritetet e doganës greke e kanë quajtur thjesht lojë mediatike, premtimin e bërë në Tiranë nga zv/ministri i jashtëm grek Loverdhos, sepse asgjë nuk është bërë e ligjshme./tvklan.al