Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së e udhëhequr nga Republikanët miratoi nismën për të vendosur sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Kjo vendimarrje vjen pas urdhër-arrestit ndaj zyrtarëve izraelitë për luftën në Gaza.

Nisma u miratua me 247 vota, mes tyre edhe 42 demokratë. Masa nuk pritet të kthehet në ligj, por pasqyron mbështetjen e vazhdueshme të Kongresit për Izraelin.

Sanksionet kërkohen si ndëshkim pasi prokurorët e kësaj Gjykate kërkojnë që ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, të lëshohet një urdhër-arrest ndërkombëtar. Kreu i qeverisë izraelite akuzohet nga prokurorët e Hagës, për krime lufte në Rripin e Gazës.

Vendimarrja do të bllokonte hyrjen e këtyre zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara, do të revokonte çdo vizë të SHBA-së dhe do t’i kufizonte në transaksionet e pronave. Presidenti amerikan Joe Biden është shprehur kundër sanksioneve, por edhe kundër një urdhër-arresti ndërkombëtar për Netanjahun.

Ky i fundit ka paralajmëruar se mund të hapë një tjetër front lufte, atë me Hezbollah në Liban pas sulmeve të tyre me raketa ditë e fundit në veri të Izraelit, ku i vunë flakën zonave pyjore të mbrojtura ku mbetën të plagosur 11 persona. Në enklavën e shkatërruar, mbi 1 milion njerëz në Gaza pritet të përballen me urinë në mes të Korrikut

Klan News