Brenda muajit shtator Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës do të përzgjedhin emrin e drejtuesit të agjencisë kosovare të inteligjencës, duke shtyrë kështu përpara procesin e konsolidimit të kësaj agjencie. Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se Prishtina mbetet e përkushtuar që të delegoj njeriun e duhur në agjencinë e inteligjencës.

Hashim Thaçi: “Mendoj në ditët e ardhshme do të përmbyllet suksesshëm edhe kjo çështje që  ka mbetur e hapur dhe kërkojnë zgjidhje dhe përgjigje shpejt. Po me rëndësi është të merret si është marrë zgjidhja e drejtë e qëndrueshme dhe shumë e përgjegjshme shtetërore sesa periudha e nxitimit kohorë”.

Që nga përfundimi i luftës, shumica e partive kryesore politike në vend kanë pasur agjencitë e tyre të zbulimit të cilat kanë qenë ilegale, prandaj tash për herë të parë Kosova do të ketë një shërbim legal të inteligjencës. Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, dyshon se institucionet e Kosovës do të arrijnë të ndërtojnë një shërbim sekret, i cili do të jetë vetëm në shërbim të interesave kombëtare. Pasi që sipas tij përvoja e deritashme me shërbimet partiake nuk është shumë shpresëdhënëse.

Nuredin Ibishi: “Krijimi i vetë këtyre strukturave paralele, shërbimet dirigjente brenda partiake edhe tash të bohet integrimi i tyre në një proces të ardhmen. Ajo është e pamundshme, duhet të krijohet e mirëfilltë siç është krijuar policia, është një bazë e mirë. Nga ajo të fillohet me trajnim skuadrave maspari me zgjedhjet të lidershipit e mandej edhe me rregulltim, seleksionim edhe trajnim të kuadrit dmth edhe niveleve të ndryshme për nevojat e saj. Pra është e domosdoshme, kjo merr kohë po më mirë të ndërtohet instruktura e qëndrueshme sesa të vazhdon një afaz i vjetër”.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës do të përbëhet nga një numër i vogël pjesëtarësh të cilët sipas ligjit do të përzgjidhen me konkurs. Trishtilat kryesore të agjencisë do të jenë drejtori, zv/drejtori dhe inspektori i përgjithshëm./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki