Rikthehen trazirat në Mitrovicë si pasojë e përleshjeve mes shqiptarëve dhe serbëve në qytetin e ndarë janë plagosur një pjesëtar i policisë ndërkombëtare, një qytetar shqiptar dhe dy të tjerë serbë.

Incidenti ka ndodhur në mbrëmjen e së martës në lagjen e boshnjakëve që gjendet në pjesën veriore të qyteti, buzë lumit Ibër. Besim Hoti, zëdhënës i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, sqaroi se fillimisht një grup serbësh kanë sulmuar një të ri shqiptar.

Ata i kanë kërkuar atij të identifikohet dhe më pas kanë filluar ta sulmojnë me shkopinj. Më vonë gjatë natës disa shqiptarë kanë gjuajtur me gurë në drejtim të dy veturave, ku janë lënduar dy qytetarë serb.

Kjo ka nxitur kështu edhe reagimin e banorëve të tjerë serb të cilët janë kundërpërgjigjur duke dëmtuar dhe shkatërruar mbi 6 vetura me targa KS dhe tre lokale që besohet të jenë pronë e shqiptarëve.

Hoti thotë se policët ndërkombëtar kanë ndërhyrë, çka ka çuar edhe në plagosjen e një pjesëtari të policisë së UMNIK-ut. Zëdhënësi i administratës ndërkombëtare në Mitrovicë Geogri Kakuk, thotë se situata e sigurisë tani është e qetë dhe normale.

Gjendja e ushtarit indian dhe të lënduarave të tjerë është e mirë. Ndërsa policia ka arrestuar dy të rinj serb përgjegjës për dhunën e së martës në Mitrovicë. Zyrtarë të SHPK-së thonë se pritet identifikimi dhe arrestimi i disa personave të tjerë të përfshirë në këto akte./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle