Lajme Arkiva – TV Klan 2005

Të kritikosh kryeministrin Nano, nuk do të thotë të bësh biznes me Atdheun tënd. Drejtuesi i shoqatës për Mbrojtjen e Qytetarëve Kreshnik Spahiu, menjëherë sapo është kthyer nga Washingtoni, ku ka marrë pjesë në një seancë dëshmish të Komisionit të Helsinkit për zhvillimet politike në Shqipëri, në një intervistë për TV Klan ka hedhur poshtë akuzat e bëra në adresë të tij, nga gazeta e PS.

Kreshnik Spahiu: “Do të isha i befasuar nëse kryeministri Nano nuk do më sulmonte nëpërmjet altoparlanteve të tij dhe mediave që ka në dispozicion. Kjo për faktin sepse unë deklarova që kemi kryeministrin më të varfër në botë sipas deklarimeve të tija zyrtare në inspektorat, por në konceptet tona, Atdheu nuk është i barazvlefshëm me Fatos Nanon, Atdheu nuk është me klasën politike, Atdheu nuk është i barazvlefshëm me partitë politike. Pra kritikat në adresë të Fatos Nanos, apo klasës politike, nuk mund të jenë hedhje baltë ndaj Atdheut”.

Sipas Spahiut, zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, shihen nga kongresmenët amerikanë si kusht kryesor për zhvillimin demokratik të Shqipërisë.

Kreshnik Spahiu: “Ka konkluzione nga përfaqësuesit e kongresit që tashmë Shqipëria pas 14 vjet përmbysjes së komunizmit, i duhet të përballet me disa sfida të reja që janë forcimi i shtetit ligjor, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ndërrimi i lidershipit, pra inkurajimi i një lidershipi të ri politik”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka