Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Bashkia e Shkodrës nuk do të firmosë asnjë leje ndërtimi, që do të cenojë sipërfaqe të gjelbëruara, ka deklaruar kështu kryebashkiaku i Shkodrës Artan Haxhi, i cili mori shkak nga prerja e disa pemëve dekorative në qytetin tonë.

Prerja e këtyre pemëve dekorative në pika të ndryshme të qytetit, përfshirë këtu edhe qendrën e piacës, ka shkaktuar reagimin e kryebashkiakut Haxhi. Ai e ka dënuar ashpër këtë akt të shëmtuar anti-qytetarë dhe u shpreh dhe për masat ndëshkuese ndaj kundravajtësve, si dhe ato parandaluese për armët.

Artan Haxhi: “Sapo jam vënë në dijeni për një akt do ta quaja barbar, një akt të shëmtuar, të prerjes së pemëve dekorative në qytetin e Shkodrës, aq më tepër kur bëhet fjalë për një pemë shumëvjeçare dhe menjëherë kam thirrur strukturat përkatëse me qëllim që të marrim masa, jo vetëm thjesht masa ndëshkuese të personave që kanë bërë një akt të tillë, por edhe masa parandaluese”.

Kryebashkiaku u shpreh se bashkia do të marrë masa konkrete për rritjen e sipërfaqeve të gjelbëruara, duke i kushtëzuar këto projekte edhe me koston e tyre financiare./tvklan.al