Videot e shpërndara në rrjetet sociale me abuzimet e çmimeve në sektorin e turizmit kanë marrë një vëmendje të shtuar, përfshirë këtu edhe të kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një konference këtë të mërkurë me kryetarët e bashkive të vendit, Rama u shpreh se ishte shumë i habitur nga këto video, të cilësuara sipas të tij të rreme.

Gjatë një interviste për Klan News me gazetari Besard Jacaj, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se nuk mund të bëhet reklamë kundër asaj që ne e kemi krenari, turizmin. Ai i cilësoi këto video dhe lajme të shpërndara si tendencioze dhe të rrezikshme.

“Në fakt është një konstatim që më pas përkthehet në shqetësim, kemi parë që ka një vëmendje të shtuar, më shumë është një mesazh i gabuar që përcillet jo vetëm prej rrjeteve sociale. Nuk e di se ku e kanë burimin, por patjetër që nuk është gjë e mirë. Nuk mund të bëhet asnjëherë dhe kurrsesi reklamë kundër asaj që ne në fakt e kemi krenari, që është turizmi, jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë hartën e Shqipërisë. Pra duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Shqipëria është në zhvillim, po kthehet në një simbol shumë të rëndësishëm të turizmit në raport me atë çfarë na rrethon, me rajonin tonë dhe më gjerë”.

Ne po bëjmë një punë shumë të mirë sa i përket kësaj gjëje, promovimi po bën punën e vet dhe nuk diskutohet që vëmendja do të jetë më e shtuar. Por që të ketë zëra kundër apo të jenë tendencioze për të shkatërruar gjithë procesin në fakt, sepse në ndjehemi krenarë që po krijohet. Duket tendencioze, duket e rrezikshme dhe nuk ka asnjë benefit, aq më tepër kur bashkohen site apo faqe të ndryshme në rrjete sociale që janë brenda vendit, më duket paksa absurde,” tha Dredha.

Më tej gjatë fjalës së tij kryebashkiaku i Vlorës tha se kjo është një luftë e ekonomike që e ka “burimin” diku gjetkë, por megjithatë ai theksoi se qeveria është këtu për të promovuar Shqipërinë.

“Konkurrenca e ndershme është gjithmonë më se e mirëpritur, brenda apo jashtë vendit tonë, por kur gjërat bëhen tendencioze atëherë na bëjnë të kuptojmë që kjo luftë është me një qëllim shumë të qartë. Është luftë ekonomike me pak fjalë. Të gjithë duan të potencojnë të ardhurat apo edhe turizmin aty ku ofrohet, pse dhe jashtë kufijve tanë, dhe normale që tendenca mund të jetë diku gjetkë. Këtë nuk mund ta them sepse është diçka që duhet parë me shumë kujdes nga gjithë ato institucione dhe instancat që merren në fakt edhe me luftën kibernetike që është diçka që duhet marrë me shumë seriozitet. Kam përshtypjen që nëse do të vërtetohet do të dalë në sipërfaqe gjithë kjo gjë. Por ne duhet të jemi të kujdesshëm ne jemi këtu për të promovuar Shqipërinë, për të mbështetur Shqipërinë në çfarëdo lloj gjëje që bëhet dhe në çfarëdo lloj investimi që bëhet”, u shpreh kryebashkiaku./tvklan.al