Kjo verë duket se i dedikohet turizmit të shtuar në Shqipëri. Turistë të huaj kanë zgjedhur si destinacion të parë për pushimet e tyre bregdetin e Shqipërisë.

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha tha për Klan News se aktualisht në Vlorë është e pamundur të gjesh një dhomë hoteli të lirë apo një çadër bosh në bregdet.

Ai theksoi gjithashtu se turistët e kanë zgjedhur Vlorën si destinacionin e tyre që në muajin Shkurt, sipas tij turistët vijnë nga të gjitha vendet e botës.

“Në fakt është akoma shpejt për nxjerrë statistika. Thonë që nuk janë mbushur çadrat, por ndërkohë çadrat janë plot. Këtu kanë filluar vizitorët e huaj që nga muaji Shkurt, pra kemi një prezencë të shtuar të të huajve që zgjedhin Vlorën si destinacion prej muajit Shkurt dhe patjetër që kjo vjen duke u rritur si numër, edhe statistikat e tregojnë, sidomos kur i afrohemi edhe zonës së nxehtë, që është zona e verës. Kemi shumë prezencë dhe e mira është se kemi një shumëllojshmëri turistësh të huaj. Mund të kemi amerikanë, italianë, gjermanë, nga vendet skandinave, çekë dhe nga Kosova, pavarësisht se flitet shumë që nuk ka nga Kosova, në fakt ka shumë dhe këtë e kam konstatuar nga hotelet që operojnë këtu, pra ka prentontime të shumta dhe nga Kosova. Është një miks ndërkombëtar që zgjedhin Vlorën si destinacion,” tha kryebashkiaku i Vlorës.

Për gazetarin Besard Jacaj, Dredha tha gjithashtu se një interes të lartë ka dhe për investime, jo vetëm nga vendasit, por dhe nga investitorët e huaj. Sipas tij ky interes i shtuar vjen si pasojë edhe të investimeve, hapja e tunelit të Llogarasë apo edhe aeroportit.

“Ka shumë interes nga grupet e interesit, bizneset lokale apo edhe kompani ndërkombëtare po shprehin një interes të madh për qytetin e Vlorës, e shohin si një potencial, e shohin si një oportunitet edhe për investimet e tyre. Të gjithë po tregojnë shumë interes sidomos për vijën e parë të bregdetit, kjo është edhe filozofia që po mundohemi të orientojmë investitorët. Interesi është i lartë, kjo vjen duke marrë në referencë edhe investimet që po kryen në qytetin e Vlorës, qoftë në shkurtimin e distancave nga tuneli, por edhe aeroporti,” përfundoi fjalën e tij, Ermal Dredha./tvklan.al