Diplomat e lëshuara nga universitet private do të njihen në tregun shqiptarë të punës njëlloj si ato të lëshuara nga universitet publike. Garancia vjen nga kryeministri Berisha, i cili është përgjigjur në këtë mënyrë zërave që hamendësojnë se diplomat e studentëve që arsimohen në universitetet jo publike nuk do të njihen, ndërsa hidhen dyshime për cilësinë e mësimdhënies në to.

Sali Berisha: “Dëgjoj në një mënyrë anakronike, të shpallen universitet si rezervate të pa punëve. Nuk ka koncept më primitiv, pa lërë më që të kërcënohen se do njohim apo s’do njohim diplomat. Universitet janë rezervate të elitës së kombit dhe unë ju jap ju fjalën se në formimin e elitës në fondin e ekselencës, në fondin … universitet private do të kenë të njëjtin trajtim me universitet publike. Sfida e universiteteve shqiptare dhe sfida e të gjitha universiteteve është cilësia”.

Deklarata e Berishës është bërë gjatë inaugurimit të përfundimit të kompleksit arsimorë Turgut Ozal. Një investim 14 milion euro ku mësojnë 1380 nxënës të kryeqytetit duke filluar nga arsimi i parashkollorë e deri tek ai i mesëm. Kryeministri ka premtuar gjithashtu se brenda një kohe të shkurtër qeveria do të miratojë ligjin që heq barrën fiskale për universitet private.

Sali Berisha: “Pres me pa durim që qeveria ime të mund të marrë sa më shpejt vendimet për të plotësuar barrën fiskale të arsimit privat në Shqipëri. Ju siguroj se rruga në këtë drejtim, reforma në këtë drejtim do të jetë një nga shtyllat më kryesore të programit të 4 viteve që vijmë në rast se shqiptarët mençurish zgjedhin vazhdimin e kësaj rruge”.

Rrjeti i kolegjeve Turgut Golistan dhe Turgut Ozal, është i shtrirë në 26 shtete të botës përfshirë edhe Shqipërinë. Stafi pedagogjik i tyre ka arritur të arsimojë deri tani 16 breza maturantësh numri i të cilëve arrin në 2500./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka

Operator: Metlin Kepi