Në mbledhjen e sotme qeveria vendosi të ulë në një euro tarifën për shfrytëzimin e ujërave të brendshme dhe detare për rritjen e peshkut.

Kjo lëvizje është në kuadër të lehtësimeve të vazhdueshme që ka bërë qeveria në këtë fushë, ndërkohë grandi i qeverisë për fermerët ka rritur ndjeshëm numrin e aplikuesve, por edhe fituesve mbi bazë projektesh.

Kryeministri e theksoi këtë si një arritje pozitive që ka ndikuar ndjeshëm në kultivimin dhe prodhimin e kulturave të ndryshme bujqësore.

Sali Berisha: “Numri i projekteve fituese është shumë i madh. Veçanërisht këtu është ndezur dhe po ndizet çdo ditë e më shumë ajo që mund ta quajmë “ethja e ullirit”. E vërteta është se janë mbjellur me subvencionim dy milion rrënjë në katër muaj sa asnjëherë. Të gjithë ata që meritojnë të shpallen fitues grandi do lëvrohet sipas sezonit. Natyrisht ulliri i pari.”

Kryeministri tha se do të zbatohen kritere të veçanta në verilindje dhe juglindje të vendit për shkak të specifikave që ka zona.

Duke evidentuar si fakt rënien e importit të frutave si pasojë e dyfishimit të prodhimit kreu i qeverisë dha porosi të qarta për Ministrin e Bujqësisë të nxisë këtë prirje.

Kryeministri foli për programe informative në televizionet lokale që informojnë fermerët për çmimin e bursës dhe të tregut duke kërkuar që të mos merren për bazë çmimet e referencës në dogana.

Berisha theksoi se qeveria që drejton po zbaton projekte që nxisin prodhimin vendas dhe stimulojnë fermerët.

Sali Berisha: “Ne do vazhdojmë me këtë program, sepse ky program po jep efekte të shkëlqyera krahasuar me akcizën. E dëgjuat ju, prapë shkoj të akciza. Ujku qimen e ndërron, zanatin nuk e harron. E çoi prapë politika e re tek akciza. Sigurisht se akciza përfundon në xhepa, kurse frutat, rrënjët frutore, agrobiznesi, bleta, ulliri, vreshta, këto janë realitete që zhvillohen çdo ditë. Nuk avullojnë si nafta”.

Lufta ndaj varfërisë përbën një nga çështjet për diskutim në mbledhjen e qeverisë. Kryeministri e cilësoi serioz studimin e Bankës Botërore, PNUD, dhe Institutit të Statistikave që dëshmon faktin se të paktën 200 mijë shqiptarë kanë dalë nga varfëria, shtuar këtu dhe 170 mijë të tjerë pas rritjes sërish në 1 Maj të këtij viti të pagave dhe pensioneve.

Këtu kryeministri publikoi një iniciativë që ndihmon familjet e përfshira në ndihmën “eco”. Në këtë linjë kryeministri shpalli projektin e qeverisë për të hartuar ndihmën e re ekonomike, e cila merr në bazë gjendjen reale të familjeve shqiptare.

Aktualisht zbatohet një skemë që synon barazimin në shpërndarjen e ndihmës, gjë të cilën kryetari i qeverisë e cilësoi të papranueshme.

Sali Berisha: “Sot ne vendosim për dhënien e teksteve totalisht falas për arsimin parauniversitar për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. Shteti qëndron në anën e fëmijëve. Varfëri të skajshme nuk duhet të ketë. Ky duhet të jetë vendimi ynë. Nëntë fëmijë kam, më drejtohet një qytetar nga Ungrej i Lezhës dhe unë në mënyrë të përsëritur interesohem për të, por nuk është zgjidhja kjo. Zgjidhja duhet të jetë ligjore. Të detajohet sa më shpejt kjo skemë. Kjo qeveri nuk mund të bëjë asnjë hap përpara pa një rishqyrtim të transparencës dhe ndershmërisë së aplikimit të kësaj skeme, sepse unë kam të dhëna shumë të qarta që ajo shpërndahet nga këshillat…”./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi