Boshti i jugut do të jetë projekti më madhor i Qeverisë Berisha në mandatin e saj të dytë. Kreu i ekzekutivit gjatë vizitës në qytetin e Beratit, deklaroji se ky projekt që afron jugun me Tiranën do të nisë brenda vitit 2009. Gjithashtu kreu i qeverisë ka inauguruar dhe urën e re një vepër e standardeve europiane që i shtohet këtij qyteti.

Sali Berisha: “Ca ndryshime të madh Berati do t’i ketë në ndërtimin e boshtit qendrorë të jugut. Jam sot për t’iu dhënë ju fjalën, se boshti qendror i jugut do të fillojë ndërtimin që këtë vit dhe se, ky do të jetë projekti më madhorë i mandatit të dytë të qeverisë sime”.

Kreu i qeverisë pasi ka bekuar nisjen e punimeve në rrugën hyrëse në Berat një investim prej 5 milion eurosh, deklaroi se ndryshimi i vërtetë vjen nga qeveria e tij që po e fakton këtë me shkolla, ujësjellës e rrugë dhe jo pre kundërshtarit të tij që premton mashtrime.

Sali Berisha: “Tjetri thotë ndryshim, me shpifje, me trillime, me mashtrime dhe si ato, aq sa mund t’i rezistojë bryma e diellit, aq mund t’i rezistojë këtij ndryshimi, ndryshimi i mashtrimit. E zgjodhi vetë nuk kam çti bëj”.

Projekti i ullirit në fokusin e qeverisë e bën Beratin epiqendrën e zhvillimit të këtij produkti të begatë për Shqipërinë.

Sali Berisha: “Në rast se ka një prodhim nevoja për të cilin ndofta kurrë nuk do të plotësohet dhe që do ketë gjithnjë një treg të madh, ky do të jetë ulliri dhe produktet e këtij vaji. Ndaj dhe ne kemi nisur punën, por Berati është një nga epiqendrat, komunat e tij janë një nga epiqendrat më kryesore të prodhimit të tij në vend, ndaj dhe ne llogarisim që të jenë dhe një nga epiqendrat më kryesore të këtij projekti të madh kombëtarë”.

Ndërsa ka inauguruar rrugën e komunës Poshnje që do t’i vijë në ndihmë banorëve, kryeministri deklaroi se investime të tilla në të gjithë Shqipërinë janë prioriteti i qeverisë.

Sali Berisha: “Ky është investim i vogël këtu, por në mbarë vendin po t’i mbledhës këto të voglat bëjnë në 4 vjet 1 miliard e 600 milion dollarë. Dhe së shpejti po këtë vit do të nisim ndërtimin e rrugës së Bogovës dhe rrugës së Kanioneve, dy rrugë këto të një rëndësie turistike jo vetëm për Beratin por për mbarë Shqipërinë”.

Më tej kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria do të anëtarësohet në NATO më 3 prill, por gjithashtu kryeministri në këtë ditë përurimesh ka përcjellë dhe një mesazh.

Sali Berisha: “Ju uroj të gjithëve dashuri, për mikun e vet, për mikeshën e vet, për nënë, për motrën, për bashkëshorten, për të dashurën. Dashuri për të gjithë uroj këtë ditë, dashuri për ju dhe mbarë shqiptarë”./tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi

Operator: Klevis Çaka