Morën fund polemikat rreth sekretarit të ardhshëm të NATO-s. Në prani të presidentit francez, Nikolas Sarkozy dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, sekretari i deritanishëm i Aleancës, Jaap de Hoop Scheffer, njoftoi se është kapërcyer kundërshtimi i Turqisë ndaj kandidaturës së kryeministrit danez, Anders Fogh Rasmussen.

Turqia e kundërshtonte kandidaturën e Rasmussen për shkak të mënyrës sesi e trajtoi ai polemikën me karikaturat daneze për profetin Muhamed, prandaj nga Qershori i këtij viti, kur përfundon mandati i holandezit Scheffer, Rasmussen do të jetë sekretar i ri i përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike.

Marrëveshja u arrit falë ndërmjetësimit të kryeministrit Italian, Silvio Berluskoni, dhe presidentit amerikan, Obama.

Në një konferencë për shtyp kryeministri danez deklaroi se vendi i tij ka një marrëdhënie të mirë me botën myslimane.

Do të bëj ç’është e mundur, tha ai, që në këtë post të siguroj një bashkëpunim pozitiv dhe dialog intensiv me të gjitha vendet e botës islame. Zgjedhja e Rasmussen është përshëndetur edhe nga kryeministri Sali Berisha.

Sali Berisha: “Jam shumë I kënaqur me largimin e të gjitha hezitimeve, sepse çështja e karikaturave të profetit Muhamed nuk kishte të bënte aspak me qeverinë daneze. Kjo është tepër e qartë në vendin tim. Siç e dini në vendet e lira dhe demokratike, liria e fjalës dhe e shprehjes është një arritje thelbësore e një shoqërie të lirë. Përsa i përket anëtarësimit të Shqipërisë, jam shumë krenar dhe u jam mirënjohës të gjithë atyre që gjatë këtyre viteve treguan solidaritetin më të lartë të njohur nga shqiptarët. Ja pse Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota e që sot e tutje kombi im nuk do të jetë kurrë vetëm.

Samiti i NATO-s ishte historik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vetë unitetin e treguar nga Aleanca sidomos për adoptimin e një strategjie të re për Afganistanin.

Aleatët ranë dakord për shtimin e 5 mijë trupave për sigurimin e paqes dhe demokracisë atje.

Forcat e NATO-s thanë se do të ofronin fonde dhe trajnim për policinë dhe ushtrinë e zgjeruar afgane.

Veç të tjerash pjesëmarrësit në samit u kërkuan gjithashtu udhëheqësve afganë të garantojnë të drejtat e plota të grave.

Koncepti i ri strategjik i NATO-s përmban një sërë masash për përballimin e sfidave të shekullit të 21./tvklan.al

Gazetarja: Urita Dokle