Kryeministri Berisha ka vazhduar edhe këtë javë turin “Shqipëria po ndryshon”, duke u ndalur në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Shoqëruar nga 3 ministra të kabinetit të tij zotin Ruli, Olldashi e Pango, si dhe një sërë pushtetarësh lokalë, kreu i mazhorancës duke inspektuar punimet e rrugës Kardhiq-Delvinë , investim ky i qeverisë shqiptare me 597 milion lekë, ka dhënë garanci se pavarësisht kostosh dhe vështirësive të tjera do të ndërtohet boshti i jugut pjesë e të cilit është edhe segmenti Kardhiq-Delvinë.

Sali Berisha: “Kjo rrugë ka një rëndësi shumë të veçantë sepse shkurton e afron Sarandën me Tiranën rreth 50 km, plus pastaj Sokol na duhet ai boshti i jugut.”

Përurimi i fillimit të punimeve për ujësjellësin e fshatit Mashkullor, si dhe përfundimi i punimeve për nënstacionin e ri elektrik 110 kilovolt të Gjirokastrës dhe rrjetit të shpërndarjes 20 kilovolt me vlerë 3.7 milion euro, kanë qenë të tjera ndalesa të kryeministrit në rrethin e Gjirokastrës.

Duke inspektuar punimet që po kryhen për restaurimin e qendrës historike të qytetit, investim i realizuar me kontributin e qeverisë Shqiptare nëpërmjet UNESCO-s. Berisha ka theksuar se qyteti muze i Gjirokastrës është duke u përtërirë falë investimeve të shumta, të cilat kanë bërë të mundur dhe rritjen e numrit të turistëve. Investime të cilat sipas Berishës, janë realizuar falë dhe një bashkëpunimi shumë të mirë më kryebashkiakun e Gjirokastrës.

Sali Berisha: “Zoti kryetar do punojmë bashkërisht, në mënyrë që Gjirokastrën ta ngremë në atë piedestal, të cilën e kanë ngritur me mundin, djersën, mendjen e tyre banorët.”

Pasi ka prerë shiritin e fillimit të punimeve për rrugën hyrëse të fshatit Derviçan, si dhe ka qenë i pranishëm në ceremoninë e organizuar për përurimin e sistemit të përroit të Derviçanit, investim ky me vlerë 34 milion lekë, kryeministri është ndalur për të takuar banorët e këtij fshati, fshat me popullsinë më të madhe minoritare.

Sali Berisha: “Ne kudo në Shqipëri po investojmë, por nuk e fsheh këtu se detyrimin më të madh një vend demokratik e ka dhe duhet ta ndjej ndaj minoriteti dhe minoriteteve. Do bëjmë çdo përpjekje që ju të ndërtoni të ardhmen këtu në shtëpitë tuaja. Unë vërtetë kam qenë dakord për dy shtetësitë dhe e kam parë atë një gjë emancipuese, por dëshira ime është që djemtë dhe vajzat tuaja të kthehen, të vijnë këtu në Dropull, të punojnë, të ndërtojnë.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka