Sali Berisha: “Qytetare dhe qytetar të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, vëllezër e motra, zonja e zotërinj. Sot ne festojmë së bashku në këtë shesh 4 prillin, ditën e parë të anëtarësisë sot në NATO, ditën e bardhë, ditën më të madhe për ne Shqipërinë që nga pavarësia e saj. Gëzuar ditën e anëtarësisë në NATO. Me 4 prill, ju qytetarët shqiptarë me përfaqësuesit tuaj më të lartë, kaluat së bashku me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, Presidentin e Francës Nikolas Sarkozy, Kancelaren Gjermane, Angela Merkel dhe të gjithë udhëheqësit e aleancës së Atlantikut të Veriut urën e Evropës, urën që bashkon Këlnin me Strasburgun, Francën me Gjermaninë, urën që simbolizon më bukur se çdo gjë tjetër shpirtin vizionin e aleancës së Atlantikut të veriut. Dje qytetarët shqiptarë, përfaqësuesit tuaj më të lartë u ulën për herë të parë në historinë e këtij kombi në samitin e Strasburgut si të barabartë me liderët e vendeve anëtare të Atlantikut të Veriut. Prandaj dhe sot urimi im për ju qytetar shqiptarë, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, por edhe për shqiptarët kudo që janë sot Gëzuar ditën e madhe të krenarisë kombëtare, ditën e parë të mrekullisë së lirisë. Zoti e bekoftë NATO-n, zoti e bekoftë Shqipërinë. Anëtarësimi në NATO shënon për ne sigurimin e lirive tona, shënon arritjen më të madhe për liritë tona të fëmijëve tanë,  të gjeneratave që vijnë. Ky anëtarësim shënon fundin e një udhëtimi shekullor të gjatë, epik në qëndresë, legjendë në dhimbje e sakrifica dhe vuajtjet ndofta më të mëdha se çdo kombi tjetër. Shënon fillimin e ri të ndritur në të cilin shqiptaret do të kenë NATO-n mburojë të lirive të tyre, epokën në të cilën ata do mund të ndërtojnë të lirë, të ardhmen e munguar dhe që meritojnë. Qe nga kjo ditë ne, fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë do të kenë NATO-n aleancën më të fuqishme të të gjitha kohërave si parzmoren të ardhmes sonë”./tvklan.al