Në prag të zgjedhjeve të 28 Qershorit Partia Demokratike po vijon me zgjerimin e aleancave me partitë e vogla.

PD ka rënë dakord të bashkëpunojë me partinë e Ballit Kombëtar duke i ofruar kësaj të fundit zgjidhjen e një sërë problematikash ku spikat çështja e pronës.

Aldo Bumçi: “Shumë shpejt Partia Demokratike dhe Partia e Ballit Kombëtar do të nënshkruajë marrëveshjen e bashkëqeverisjes në mandatin e dytë. Koalicioni jonë bashkëqeverisës ka dhe një çështje për të zgjidhur dhe mendojmë bashkë do e zgjidhim dhe më mirë që është çështja e pronës. Nuk kemi arritur të bëjmë gjithçka në këto katër vite, nuk ishte e thjeshtë. Ishte çështje komplekse, por mendoj bashkërisht kjo do jetë çështja prioritare për ne në katër vitet e ardhshme”.

Kryetari i Partisë së Ballit Kombëtar i ka bërë thirrje anëtarëve të vet që të votojnë për të djathtën duke e shkëputur përfundimisht të ardhmen nga e shkuara komuniste.

Adriatik Alimadhi: “Vota juaj ka shumë vlerë në zgjedhjet e 28 Qershorit, sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk duhet të jenë më vasalët e ideologjisë kriminale komuniste, por në 28 Qershor me votën tuaj jepini Shqipërisë atë që i takon që të vendoset përfundimisht në shtratin e duhur kombëtar. Rroftë Balli Kombëtar! Rroftë Shqipëria etnike!

Aleanca me Ballin Kombëtar u shpall gjatë aktiviteteve të zhvilluara me rastin e 70-vjetorit të krijimit të kësaj partie.

Pak ditë më parë, kryeministri Berisha firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me Aleancën Demokratike dhe Bashkimin Liberal Demokrat./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro