Objektivi më i shpejtë  qeverisë Berisha në rast të një mandati të dytë do të jetë liberalizimi i vizave. I ftuar në emisionin e gazetarit Blendi Fevziu me një panel analistësh të njohur kryeministri foli për afate konkrete.

Sali Berisha: “Për sa i përket liberalizimit të vizave unë ju garantoj se ai proces do të jetë pa diskutim fundi i këtij viti, pra gjashtë mujorin e dytë të këtij mandati, mandatit të kësaj qeverie ose gjashtë mujorin e parë të vitit që vjen.”

Ndonëse nuk dha një datë të saktë të aplikimit për statusin e vendit kandidat, kryeministri u kujdes të sqaroj se integrimi është një proces i pandalshëm dhe se vendimi do të jetë produkt i një konsulte me unionin.

Sali Berisha: “Aplikimi bëhet me një lloj ujdie me ata që kryesojnë Bashkimin Evropian dhe data caktohet me ta. Kjo opozitë më thoshte mua, të aplikoj në shtator që shkoi kur ishte presidenca franceze, mor të aplikojmë gjatë presidencës sllovene. Jo s’jam ngutur, unë kam pritur përfundimin e stabilizim asocimit. Tani pse do pengoj unë veten, më thoni ju mua? Jo zotëri, ne do të depozitojmë aty, ne kemi durimin tonë të bëhen zgjedhje, ka dhe disa momente të tjera.”

NATO ishte tema qendrore e emisionit, ndër të tjera kryeministri tha se dy janë faktorët kryesorë që e shtyjnë këtë proces në kohë, krimi dhe korrupsioni duke ju referuar për këtë qeverisjes socialiste. Po këtu nuk munguan pyetjet e analistëve për debatin mediatik që prodhoi pjesëmarrja e kryeministrit dhe presidentit në samitin e Strasburgut.

“Ju detyruat protokollin e Strasburgut që të shtojë karrige në tavolinën e samitit ashtu si dhe kroatët.”

Sali Berisha: “ Tani në qoftë se ishin 28 karrige, ishin nja 20 kryeministra dhe tani mos të shkojmë më tutje sepse, se kush do të ishte aty ishin kryeministrat. Aty ishin zotëri, kryeministra. Dhe po të duash ti numëroj, ishte kryeministri i Italisë, ishte kryeministri i Hungarisë, ishte kryeministri i Gjermanisë, ishin kryeministra. Tani vazhdojmë me presidentin çek, ishte zotëri aty po për hir të së vërtetës nuk foli.”

Alfred Peza: “S’duhet të mbante fjalim zoti Topi dhe duhet të ishit ju njeriu më i rëndësishëm i këtij delegacioni të përfaqësimit të Shqipërisë?

Sali Berisha: “Absolutisht kjo mënyrë si e shtroni ju, është jashtëzakonisht e veçantë, s’po përdor term tjetër sepse është praktikë normale dhe po të mos ishte normale NATO-ja nuk ndante kohën në dyshë.”

Analistët e pyetën kryetarin e qeverisë mbi marrëdhëniet e tij me presidentin Topi, por dhe drejtues të organeve kushtetuese përfshirë prokuroren e përgjithshme. Berisha akuzoi Ina Ramën për përdorim politik.

Sali Berisha: “Kam marrëdhënie korrekte institucionale me presidentin e republikës, marrëdhëniet janë shumë normale me drejtuesin e shërbimit informativ kombëtar, marrëdhëniet janë shumë normale me kontrollin e shtetit, ka një problem me prokuroren e përgjithshme, të cilin s’është problemi i imi me të, jo nuk është problem i imi me të me të është problem i keqpërdorimit të saj ekstrem në formën e një partie politike.”

Mentor Nazarko: “ Nga kush?”

Sali Berisha: “Edhe këtë ke nevojë me ta thënë, po këtë e dinë gjithë shqiptarët.”

Zgjedhjet dhe pajisjet e shtetasve me kartat e reja ishte një pikë ku u fokusua debati.

Sali Berisha: “Ajo që unë shpreh shumë keqardhje, se nga dita e parë e këtij procesi që ka një rëndësi  të jashtëzakonshme për ne dhe gjer sot kreu i opozitës nuk ka bërë qoftë edhe një herë të vetme thirrje qytetarëve të marrin kartat. Ka bërë mbi 53 deklarata dekurajuese dhe nuk ka bërë një thirrje për marrjen e tyre. Kartat e identitetit për të gjithë ata që nuk kanë pasaportë dhe që duan të votojnë do të jenë disponibël pa asnjë koment.”…