Dy ditë pasi Kuvendi miratoi me shumicë të cilësuar votash paketën e ndryshimeve kushtetuese, kryeministri Berisha e vlerësoi këtë si një moment historik për vendin. Ai tha se me këtë votim hoqëm dorë nga deformimi i votës, kushtetuta e inateve dhe nga kriza e institucioneve.

Sali Berisha: “Deputetët e Shqipërisë firmosën jo në tërësi, po në themele dhe ne shtyllat kryesore të shtetit. Një kushtetutë më moderne që ka njohur vendi. Vendi do ketë parlamentin më përfaqësues që ka pasur në historinë e tij. Tempulli merr fizionomi të re, reforma është në trungje nuk është në degë. Ndahemi nga ajo njollë e zezë që shoqëroi këtë 10 vjeçar dhe që quhet dushk, pse të përlyhej vota e shqiptarëve me dushkun, ishte njëlloj si të përzihej me ziftin.”

Duke komentuar ndërhyrjen në Kushtetutë për sa i përket zgjedhjes së presidentit, kreu i qeverisë tha, se nuk i kemi hequr atij asnjë kompetencë, por shpëtuam institucionin e kreut të shtetit nga kriza.

Sali Berisha: “Kontribut i jashtëzakonshëm dhe historik do ta quaja unë, ndryshmin  e nenit për zgjedhjen e presidentit të republikës, ligjvënësi shqiptar me votimin e tij e nxori jashtë krize institucionin e presidencës. Institucioni i presidencës, institucioni qendrorë i stabilitetit të vendit në Shqipëri or zotëri, falë pasionit të çmendur të mediave për të fryrë kriza dhe aty ku s’ka, po aty kishte. Ai binte në një krizë të thellë dhe të gjithë fillonin bërtisnin, flisnin, kriza presidenciale. Nuk ka më të rëndë për vendin.”

Ndryshimet e reja në kushtetutën e Shqipërisë, kryeministri i krahasoi të ngjashme me standardet që aplikojnë vendet e NATO-s ku Shqipëria pret të anëtarësohet vitin e ardhshëm./tvklan.al