Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Forcat e Natos do të qëndrojnë në Shqipëri pa ndonjë limit të caktuar. Shefi i Shtabit të ushtrisë amerikane gjenerali Shelton i është përgjigjur kështu kërkesës së kryeministrit Majko. Ne u shpreh ai e vlerësojmë shumë madje na pëlqen kërkesa e kryeministrit pasi ky vend mund të shërbej për vendosjen e trupave të Natos që do të shkojnë në Kosovë edhe pas luftës.

Pas takimit gjenerali Shelton e kryeministri Majko kanë dalë përpara gazetarëve. Shelton ka shprehur mbështetjen e qeverisë amerikane duke shpjeguar edhe qëllimin e vizitës së tij në Shqipëri. Shelton gjithashtu i ka bërë thirrje refugjatëve kosovarë të kenë durim në mënyrë që kthimi i tyre në Kosovë të jetë i sigurt.

Atje tha ai ekziston ende rreziku jo vetëm nga zonat e minuara por edhe nga ekzistenca e elementëve serb të armatosur. Megjithatë ka përfunduar ai serbët janë duke u tërhequr, UÇK do të bashkëpunoj me ne dhe trupat e KFOR të cilat vazhdojnë të hyjnë në Kosovë do të realizojnë futjen e sigurt të të shpërngulurve me dhunë në trojet e tyre./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego