Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Intervistë me Kryeministrin e Shqipërisë Pandeli Majko dhe me Kryeministrin e Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës Hashim Thaçi.

Kryeministri Pandeli Majko:- “Konkluduam atë detyrim të madh që kemi përpara njerëzve tanë, përpara atyre që quhen shqiptarë. Për ti dhënë të drejtën faktorit shqiptar të kudo ndodhur për të qene krenarë për këtë moment tepër të veçantë historik. Tanime i takon mikut tim Hashimit të zbresë ashtu siç e meriton në Prishtinë, së bashku me qeverinë e tij të drejtojë Kosovën. Këtë lajm të mirë edhe përkrahje njëkohësisht unë pata rastin ta ndaj edhe me Kryeministrin e Maqedonisë Gjeorgjevski dhe shpresoj që Shqipëria, Maqedonia, Kosova edhe Mali i Zi të jenë faktore të rinj të një Ballkani të ri në paqe dhe stabilitet”.

Hashim Thaçi, Kryeministri i Kosovës:- “Qeveria Shqiptare ka luajtur një rol shumë konstruktiv në zhvillimet në Kosovë. Qeveria Shqiptare mund të luajë dhe do ta luajë nje rol shumë të rëndësishëm edhe në transformimin e tanishëm në Kosovë, në transformimin e institucioneve të Kosovës. Po ashtu Qeveria Shqiptare ka ndihmuar dhe po ndihmon edhe në kthyerjen e të gjithë të shpërngulurve në Shqipëri, Maqedoni. Dhe takimi i sotëm me zotin Majko ishte një takim pune, një takim i cili do të kontribuoje në kthimin e shpejtë të deleguarve. Qeveria e Maqedonisë ka mbajtur dje një qëndrim korrekt, një qëndrim që u pa edhe me njohjen reciproke qeveritare Qeveri e Kosovës, Qeveri e Maqedonisë dhe besoj se këto kontakte do të vazhdojnë në të ardhmen. Është bërë një hap përpara sepse sot kemi Qeverinë në Kosovë, se është kthyer në Prishtinë, punon atje, funksionon atje dhe besoj se do të kthehemi së shpejti./tvklan.al